Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të diele do të dekorojë me Medalje Presidenciale për Sundim të Ligjit Beau Biden, djalin e ndjerë të presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ka vdekur nga tumori në tru më 2015. Beau Biden ka shërbyer në Kosovë pas mbarimit të luftës në vitin 2001, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve.
Përmes një video-mesazhiBiden ka deklaruar se Kosova “është në zemrat e gjithë familjes Biden”.
“Puna e Beaut në Kosovë ka qenë e përzemërt. Ai e ka dashur shtetin tuaj. Në atë kohë vuante ende plagët e luftës dhe kishte një sistem ligjor të mbytur për shkak të sundimit totalitar. Mirëpo Beau e ka parë se çfarë mund të bëni ju. Beau e ka parë edhe atëherë të ardhmen që ka qenë e mundur për shtetin tuaj krenar”, i ka thënë Biden presidentes Osmani.
Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan.
Më 2016, në vitin e fundit të Bidenit si zëvendës-president, ai së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden afër kampit Bondsteeel.