Biden: Irlandezët ndezën pishtarin e lirisë në SHBA, marrëdhëniet tona me Irlandën do vazhdojnë të jenë të forta

Biden: Irlandezët ndezën pishtarin e lirisë në SHBA, marrëdhëniet tona me Irlandën do vazhdojnë të jenë të forta

Joe Biden

Presidenti Joe Biden mbajti një fjalim në Parlamentin e Irlandës në Dublin, duke u bërë udhëheqësi i katërt amerikan pas presidentëve John F. Kennedy, Ronald Reagan dhe Bill Clinton që u drejtohet ligjvënësve irlandezë. Presidenti Biden theksoi gjatë fjalimit në Parlamentin irlandez historinë e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Joe Biden përmendi gjatë fjalimit në Parlament trashëgiminë e tij irlandeze dhe theksoi marrëdhëniet "e qëndrueshme" me Irlandën që filluan pas "themelimit të Shteteve të Bashkuara".

“Irlandezët ndihmuan në ndezjen e pishtarit të lirisë në vendin tim dhe ndezën shpirtin e tij revolucionar. Gjaku irlandez nga i gjithë ky ishull u derdh për pavarësinë e vendit tim”, tha ai.

Presidenti Biden vlerësoi mbështetjen e Dublinit për mbrojtjen e Ukrainës nga agresioni i Rusisë.

Irlanda, anëtare e Bashkimit Evropian, por jo e NATO-s, është ushtarakisht neutrale dhe ka dhënë mbështetje humanitare për Ukrainën.

Më herët, Presidenti Biden falënderoi kryeministrin irlandez Leo Varadkar për strehimin e gati 80 mijë refugjatëve ukrainas.

“Ne gjithashtu riafirmuam vendosmërinë tonë që Irlanda, Amerika dhe Evropa të jenë të bashkuara në mbështetjen e demokracisë dhe lirisë në botë, e cila po sulmohet në mënyra të ndryshme”, tha kryeministri irlandez.

Siç ka bërë gjatë gjithë vizitës, e cila filloi të martën në Belfast të Irlandës së Veriut, Presidenti Biden në fjalimin e tij theksoi mbështetjen për Marrëveshjen e së Premtes së Mirë, e cila në vitin 1998 i dha fund konfliktit të përgjakshëm 30 vjeçar mes atyre që kërkonin bashkimin me Irlandën dhe atyre që këmbëngulnin që Irlanda e Veriut të mbetej pjesë e Britanisë së Madhe.

Presidenti Biden tha të enjten në Dublin, pasi i ra Kambanës së Paqes, se ai shpreson që në qeverinë e Irlandës së Veriut të rikthehet rregulli i ndarjes së pushtetit, i cili së fundmi është braktisur për shkak të grindjeve të brendshme politike, duke rrezikuar marrëveshjen e paqes.

Ai tha se Britania dhe Irlanda duhet të punojnë së bashku për të shmangur rikthimin e gjakderdhjes.

“Dhuna politike nuk duhet lejuar më kurrë të sundojë në këtë ishull”, tha ai.

Fjalimi i Presidentit Biden u prit me duartrokitje të forta nga ligjvënësit irlandezë.

"Ju keni treguar besim të palëkundur, vullnet dhe aftësi për të bashkuar njerëz me pikëpamje të ndryshme dhe shpesh kundërthënëse", tha Sean O Fearghail, kryetar i Parlamentit irlandez.

Fjalimi i tij u mirëprit edhe nga Mary Heaney, bashkëshortja e poetit të ndjerë irlandez Seamus Heaney, veprat e të cilit Biden i citon shpesh.

Kryeministri irlandez shtroi një darkë për Presidentin Biden në Kështjellën e Dublinit. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!