Dialogu me Serbinë dhe arritja e njohjes reciproke do të shërbejë për anëtarësimin e vendit në NATO dhe integrimin evropian është shprehur presidenti amerikan Joe Biden në letrën e dërguar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
“SHBA do të vazhdojnë të investojnë në sigurimin e një paqje afagjatë, duke lehtësuar dialogun me Serbinë me synimin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, me arritjen e qëllimit përfundimtar atë të njohjes reciproke. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është thelbësore për anëtarësimin e vendit në organizatat euroatlantike” ,thuhet në letrën e Biden.
Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.
Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit.