Biden paralajmëron: Rusia mund të pushtojë Ukrainën në shkurt! Reagon Kremlini: S'duam luftë! Kievi Zyrtar: Të mos përhapim panik, s'ka përshkallëzim të tensioneve

Presidenti i SHBA, Joe Biden ka paralajmërua se Rusia mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm. Me një njoftim, Shtëpia e Bardhë bëri me dije se Biden paralajmëroi një ditë më parë presidentin e Ukrainës se Rusia mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës në muajin shkurt. Kremlini gjithashtu paraqiti një pamje të zymtë, duke thënë se shihte "pak vend për optimizëm" në zgjidhjen e krizës, kjo pasi SHBA-ja këtë javë, refuzoi sërisht kërkesat kryesore të Rusisë.

Zyrtarët rusë thanë se dialogu ishte ende i mundur për t'i dhënë fund krizës, por Presidenti Biden ofroi një paralajmërim të qartë mes shqetësimeve në rritje se Presidenti rus Vladimir Putin, do të japë dritën jeshile për një pushtim të territorit ukrainas, në një të ardhme jo shumë të largët.

Shtëpia e Bardhë tha se komentet e Presidentit Biden gjatë një bisede telefonike me homologun e tij të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, përforcuan shqetësimet që zyrtarët e administratës kanë shtruar prej kohësh.

"Presidenti Biden tha se ekziston një mundësi e qartë që rusët mund të pushtojnë Ukrainën në shkurt", tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Emily Horne.

"Ai e ka thënë këtë publikisht dhe ne kemi paralajmëruar për këtë për muaj të tërë", shtoi ajo.

Rusia: Pak vend për optimizëm për lehtësimin e tensioneve

Më herët të enjten Rusia tha se kishte "pak vend për optimizëm" për zbutje të tensioneve në Evropën Lindore pasi siç thanë autoritetet e këtij vendi, Shtetet e Bashkuara refuzuan kërkesën e saj që Ukraina të mos lejohet të anëtarësohet në NATO dhe që Perëndimi të tërheqë trupat dhe armatimet nga vendet në kufi me Rusinë.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se përgjigjja e SHBA-së ndaj kërkesave të saj "nuk ishte pozitive", por shtoi se disa elementë të saj mund të çojnë në "fillimin e bisedimeve serioze për çështje dytësore". Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë hedhur poshtë kërkesat kryesore të Moskës duke i quajtur ato si të papranueshme.

Diplomati i lartë i Kremlinit tha se zyrtarët do t'i paraqesin propozime Presidentit Vladimir Putin. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha se Moska do të reagojë së shpejti, duke shtuar se "ka gjithmonë mundësi për të vazhduar dialogun. Është në interesin tonë dhe të amerikanëve".

Zyrtarët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë zhvilluan bisedime të mërkurën në Paris dhe ranë dakord për një raund tjetër bisedimesh që do të mbahen në Berlin, në javën e dytë të muajit shkurt. Palët ranë dakord për një armëpushim zyrtar në Ukrainën lindore, sipas Dmitry Kozak, i dërguari i Kremlinit.

"Ne kemi nevojë për një pauzë shtesë. Shpresojmë që ky proces të ketë rezultate brenda dy javësh", tha ai.

Bisedimet e shkurtit do të zhvillohen në të njëjtin nivel diplomatik sikurse bisedimet e Parisit. Në rendin e ditës nuk është parashikuar ndonjë takim i nivelit të lartë mes krerëve të shteteve.

"Asgjë nuk ka ndryshuar, ky është lajmi i keq", tha ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba. “Lajmi i mirë është se këshilltarët ranë dakord të takohen në Berlin pas dy javësh, që do të thotë se Rusia për dy javët e ardhshme, ka të ngjarë t'i qëndrojë rrugës diplomatike”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, që druhen se Rusia mund të pushtojë së shpejti Ukrainën, vazhdojnë të protestojnë kundër grumbullimit të më shumë se 100,000 trupave ruse përgjatë kufirit të saj me republikën e dikurshme sovjetike, megjithëse Moska thotë se nuk ka në plan të sulmojë.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se dokumenti që SHBA-ja i dorëzoi Rusisë: "përfshin shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, aleatëve dhe partnerëve tanë në lidhje me veprimet e Rusisë që minojnë sigurinë- një vlerësim parimor dhe pragmatik të shqetësimeve që Rusia ka ngritur, dhe propozimet tona për çështjet ku mund të gjejmë gjuhën e përbashkët”.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden, ndërsa përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë, vazhdimisht e ka paralajmëruar Rusinë se Perëndimi do të vendosë sanksione ekonomike të ashpra kundër saj, nëse sulmon Ukrainën.

Peskov tha se Presidentët Putin dhe Biden do të vendosin nëse duhet të zhvillojnë të tjera bisedime lidhur me ngërçin diplomatik të krijuar, pas dy telefonave të zhvilluara muajin e kaluar.

Kuleba tha se Kievi e kishte parë përgjigjen e SHBA-së drejtuar Rusisë, përpara se t'i dorëzohej Moskës.

"Nuk kishte asnjë kundërshtim nga pala ukrainase", tha Kuleba. "Është e rëndësishme që SHBA-ja të mbetet në kontakt të ngushtë me Ukrainën, para dhe pas të gjitha kontakteve me Rusinë. Nuk ka vendime për Ukrainën, pa Ukrainën. Ky është rregulli i artë", tha ai.

Një gjë me të cilën ra dakord edhe Sekretari Blinken. Në një postim në Twitter, ai shkruante: "Asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën".

Ndërsa Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, shkëmbejnë kërkesa, të dyja palët kanë rritur përgatitjet ushtarake. Rusia ka nisur stërvitjet ushtarake që përfshijnë njësi të motorizuara të këmbësorisë dhe artilerisë në Rusinë jugperëndimore, avionë luftarakë në Kaliningrad në detin Baltik, dhjetëra anije luftarake në detin e Zi dhe Arktik, si dhe avionë luftarakë rusë e parashutistë në Bjellorusi.

NATO, aleanca ushtarake perëndimore prej 30 vendesh, tha se po rrit praninë e saj në rajonin e detit Baltik dhe SHBA-ja ka vendosur në gjendje gatishmërie të lartë 8,500 trupa, të gatshëm për t’u dislokuar në Evropë si pjesë e një operacioni të NATO-s.

Sekretari i Shtypit i Pentagonit John Kirby tha se forcat amerikane që ndodhen aktualisht në Evropë, disa tashmë në gjendje gatishmërie të lartë, mund të mobilizohen gjithashtu "për të përforcuar praninë e aleatëve tanë të NATO-s, nëse ata do të kishin nevojë”.

"Ne vazhdojmë të shohim, përfshirë në 24 orët e fundit, më shumë grumbullim të forcave luftarake nga rusët në pjesën perëndimore të vendit të tyre dhe në Bjellorusi", u tha ai gazetarëve të enjten.

Kirby tha gjithashtu se SHBA-ja po përgatit ndihmë shtesë, për ushtrinë e Ukrainës, krahas asaj të dërguar gjatë ditëve të fundit.

"Ne jemi vetëm në fillimin e një pakete krejtësisht të re të ndihmës", tha ai, duke mos pranuar të ndajë detaje rreth përmbajtjes. "Ne po përpiqemi të shohim nëse mund t'i përshpejtojmë ato", shtoi Kirby.

Kuleba tha se Ukraina nuk po planifikon asnjë veprim ofensiv dhe se Kievi pret që përpjekjet diplomatike për të trajtuar krizën përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë të vazhdojnë.

"Ne jemi të përkushtuar ndaj rrugës diplomatike dhe jemi të gatshëm të angazhohemi me Rusinë në nivele të ndryshme për të gjetur (një) zgjidhje diplomatike për konfliktin", tha Kuleba në një konferencë shtypi. "Megjithatë, nëse Rusia vendos të luftojë, ne do t'i përgjigjemi. Ky është vendi ynë dhe ne do ta mbrojmë atë”, tha ai./ VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:01
Biden paralajmëron pushtimin e Kievit në shkurt,  Presidenti ukrainas: Mos përhapni panik, s'ka përshkallëzim të tensioneve

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Perëndimit të mos përhapë panik në krizën me Rusinë. Fjalimi i Zelensky-t vjen pas telefonatës me presidentin amerikan Joe Biden, ku ky i fundit përmendi “mundësinë konkrete që rusët të pushtojnë Ukrainën në shkurt”.

“Rreziku më i madh për Ukrainën është destabilizimi i brendshëm dhe jo kërcënimi i një pushtimi rus. Prioriteti është stabilizimi i ekonomisë sonë. Probabiliteti i sulmit nga rusët ekziston, ai nuk është zhdukur dhe nuk ishte më pak serioz në vitin 2021, por ne nuk shohim një përshkallëzim më të madh se vitin e kaluar. Por po të dëgjosh mediat ndërkombëtare dhe madje edhe krerë të respektuar shtetesh, duket se tashmë ka një luftë në të gjithë vendin, se ka trupa që përparojnë në rrugë. Por nuk është kështu", tha Zelensky në një konferencë për shtyp.

Ora 12:20
Prag lufte në Ukrainë, SHBA thërret Këshillin e Sigurimit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që instanca më e lartë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit të mblidhet dhe të të trajtojë krizën në Ukrainë. Qeveria në Uashington i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të trajtojë në një seancë të hënën e 31 janarit krizën e Ukrainës.

Kjo bëhet "për shkak të kërcënimit të qartë të paqes ndërkombëtare dhe sigurisë" nga ana e Rusisë, bëri të ditur ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Rusia ka stacionuar më shumë se 100.000 ushtarë në kufirin ukrainas dhe ndjek "veprime të tjera destabilizuese kundër Ukrainës", ka thënë ajo, duke e konsideruar si kërcënim të qartë.

Ora 11:12
Pas paralajmërimit të Biden, reagon Lavrov: Rusia nuk dëshiron luftë

Ministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se Rusia nuk dëshiron një luftë. Ky reagim i Sergej Lavrov vjen pasi Uashingtoni paralajmëroi se Moska mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm. Lavrov u tha mediave ruse të premten se Kremlini nuk po kërkon konflikt me Kievin, por ritheksoi se Moska nuk do të lejojë që interesat e saj të sigurisë të injorohen.

Të enjten, SHBA dhe NATO iu përgjigjën kërkesave gjithëpërfshirëse të sigurisë të Rusisë që u ngritën në dhjetor pasi Moska ndërtoi trupa pranë kufirit me Ukrainën. Kryesisht, Rusia dëshiron që NATO të angazhohet për të bllokuar përgjithmonë Ukrainën që të bëhet anëtare e aleancës. Rusia tha se përgjigjet i dhanë pak arsye për optimizëm sepse nuk kishte "përgjigje pozitive për pyetjen kryesore", por mund të shërbente si pikënisje për bisedimet mbi "pyetjet dytësore".

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • BIDEN DO LUFTE,: 28/01/2022 21:17

    E qarte dhe qesharak merumi BIDEN qe po bene cmos per te ndezur luften ne zemer te Evropes per interesa personale te djalit te tij HUNTER BIDEN.ishallah popujt vellezer dhe presidenti Ukraines edhe presidenti Putin nuk bien ne kurthin e AMERIKES qe perdor NATON si organizat Terroriste ,mjafton te shikosh harten e Natos edhe deshtimet nga IRAKU EDHE AFGANISTANI ,ettjj,etjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sabotimi i kabullit nënujor nga Rusia, NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik

Sabotimi i kabullit nënujor nga Rusia, NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik