Biden përpjekje për miratimin e dy projektligjeve me vlerë 4.7 trilionë dollarë

Biden përpjekje për miratimin e dy projektligjeve me vlerë 4.7 trilionë dollarë

Joe Biden

Presidenti amerikan Joe Biden këtë javë do të bëjë një përpjekje tjetër për të siguruar miratimin e dy prej nismave të tij më të rëndësishme ekonomike, që kanë ndeshur në kundërshtime edhe nga demokratët e partisë së tij. Fjala është për një projektligji prej 1.2 trilionë dollarësh për investime nëinfrastrukturë, si dhe për një tjetër me vlerë prej 3.5 trilionë dollarësh që përfshin zgjerimin e një sërë programesh sociale.

Presidenti Biden është nën presion këtë javë për të bashkuar dy grupet e partisë së tij demokrate për dy projektligjet e shpenzimeve masive që janë kyçe për axhendën e tij të brendshme.

"Ju them se do ta realizojmë këtë. Nuk ka rëndësi kur. Nuk ka rëndësi nëse kjo realizohet për gjashtë minuta, gjashtë ditë, apo gjashtë javë. Ne do ta arrijmë këtë", tha Presidenti Biden.

Me mbështetjen dypartiake, projektligji i infrastrukturës prej 1.2 trilionë dollarësh për rrugët, urat dhe autostradat tashmë është miratuar në Senat.

Por në Dhomën e Përfaqësuesve, krahu progresiv i partisë demokrate thotë se nuk do ta mbështesë projektligjin e infrastrukturës derisa partia e tyre të arrijë një marrëveshje mbi paketën më të madhe prej 3.5 trilionë dollarësh të shpenzimeve për programet sociale, e cila përfshin fonde për sektorë si mjedisi, arsimi dhe kujdesi për fëmijët.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e shtyu votimin në Dhomën e Përfaqësuesve mbi projektligjin e infrastrukturës, duke zemëruar ligjvënësit e moderuar.

Senatorja Kyrsten Sinema, demokrate e moderuar nga Arizona, e quajti shtyrjen "të pafalshme" dhe një "marifet" për të mbajtur peng projektligjin e infrastrukturës, duke e lidhur atë me projektligjin më të madh të shpenzimeve qeveritare.

Republikanët kundërshtojnë projektligjin e buxhetit. Senatori republikan John Barrasso e ka quajtur atë "projektligj të madh të socializmit qeveritar të pamatur" në një intervistë për emisionin "Fox News Sunday".

Demokratët e kontrollojnë me një epërsi të vogël Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë, ata mund të mbështeten tek vota e nënpresidentes Kamala Harris për të miratuar projektligjin për shpenzimet qeveritare.

"Të dyja këto projektligje po ecin përpara së bashku. Ne duhet t'i miratojmë ato", tha senatori Bernie Sanders.

Dhoma e Përfaqësuesve do të jetë në pushim në dy javët e ardhshme. Presidenti Biden njoftohet se u ka thënë demokratëve se kostoja e projektligjit të shpenzimeve mund të duhet të ulet nga 3.5 në 2.1 trilionë dollarë. Disa demokratë të krahut progresiv thonë se një kompromis i mundshëm për këtë çështje mund të përfshijë shkurtimin e periudhës që projektligji do të mbulonte./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë