Presidenti amerikan, Joe Biden, përmes një letre drejtuar drejtuesve të komisioneve kryesore të Kongresit i informoi ata për synimin e tij për të filluar procesin zyrtar të njoftimit për shitjen Turqisë të avionëve F-16 të kompanisë Lockheed Martin, sapo Ankaraja të përfundojë procesin e pranimit të Suedisë në NATO.
Në letrën drejtuar anëtarëve më të lartë republikanë dhe demokratë të komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, Presidenti Biden i kërkon Kongresit të miratojë shitjen “pa vonesë”, tha një zyrtar amerikan.
Më herët të mërkurën Shtëpia e Bardhë u dërgoi një letër anëtarëve të Kongresit duke kërkuar miratimin e shitjes prej 20 miliardë dollarësh të avionëve F-16 dhe pjesëve të këmbimit në Turqi, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters katër persona në dijeni të letrës.
Parlamenti i Turqisë ratifikoi të martën kërkesën e Suedisë për anëtarësim në NATO, duke hequr pas 20 muajsh vonesë një pengesë të madhe për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore. Burimet thanë se letra u dërgua të mërkurën dhe se administrata e Presidentit Biden ende nuk e kishte njoftuar zyrtarisht Kongresin për planet për shitjen.
Vonesa e Turqisë për miratimin e ratifikimit kishte qenë një pengesë e madhe për të fituar miratimin e Kongresit për marrëveshjen e avionëve luftarakë. Ligjvënësit kishin thënë se po prisnin miratimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë në NATO, përfshirë nënshkrimin e Presidentit turk Erdogan, përpara se të vendosnin nëse do ta miratonin shitjen.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Departamenti i Shtetit i kërkoi gjithashtu Ankarasë të mërkurën të finalizojë zyrtarisht ratifikimin e NATO-s nga Suedia. Për ta bërë këtë, Presidenti Erdogan duhet të nënshkruajë legjislacionin, i cili më pas botohet në Gazetën Zyrtare të Turqisë. Instrumenti i anëtarësimit për Suedinë duhet të dërgohet gjithashtu në Uashington.
Departamenti i Shtetit refuzoi të jepte një afat kohor të saktë mbi procesin zyrtar të njoftimit për shitjen e avionëve F-16. Turqia në tetor 2021 kërkoi të blinte avionë F-16 me vlerë 20 miliardë dollarë dhe gati 80 njësi me pajisje për modernizimin e avionëve të saj ekzistues luftarakë.
Drejtuesit e komisioneve të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve shqyrtojnë çdo shitje të madhe të armëve për vende të tjera. Ata rregullisht bëjnë pyetje ose ngrenë shqetësime mbi të drejtat e njeriut ose çështje diplomatike që mund të vonojnë apo ndalin marrëveshje të tilla.
Suedia dhe Finlanda aplikuan për të hyrë në NATO pasi Rusia sulmoi Ukrainën në shkurt 2022. Ndërsa anëtarësimi i Finlandës përfundoi vitin e kaluar, kërkesa e Suedisë ishte penguar nga Turqia dhe Hungaria.
Të gjitha vendet anëtare të NATO-s duhet të miratojnë aplikimet nga vendet që kërkojnë t’i bashkohen aleancës. Kur Suedia dhe Finlanda kërkuan të anëtarësohen, Turqia ngriti kundërshtime mbi atë që tha se ishte mbrojtja nga këto dy vende për grupet që Turqia i konsideron terroriste.