NEPAL- Një avion i vogël u rrëzua të premten vetëm pak momente pasi u ngrit në ajër në kryeqytetin e Nepalit duke lënë të vdekur 19 persona. Zyrtarët vendas konfirmojnë se mes të vdekurve në Kathmandu janë shtatë britanikë dhe pesë kinezë. Avioni i cili ishte në pronësi të kompanisë Sita Air u ngrit nga Kathmandu drejt Luklas në rajonin e Malit të Everestit por ra në fushë në afërsi të aeroportit. "Flakët ishin shumë të mëdha dhe të gjitha pjesët e avionit u dogjën", tha një dëshmitar që u prononcua pak orë pas ngjarjes.

Ende nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti ajror por kushtet atmosferike vlerësohet të kenë qenë të mira. Vjeshta konsiderohet si momenti i kulmit të sezonit turistik në Nepal pasi aty ndodhen tetë prej 14 maleve më të larta përfshirë Everestin. Të dielën e kaluar po në Nepal 11 persona humbën jetën pas rënies së një orteku.

(Lajmi u publikua fillimisht në 03: 30 dhe u përditësua në 10:09)
(bm/shqiptarja.com)