Me kërkesë të Unionit të Gjyqtarëve, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kushtin e parashikuar në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas të cilit kapitulli për rritjen e pagave dhe për përfitimet e tjetra do të zbatohej vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët që kalonin me sukses Vetingun. Konkretisht, Kushtetuesja ka rrëzuar pikën pesë të nenit 169 të ligjit për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke detyruar qeverinë që të paguajë njerëzit e drejtësisë me paga katërfish më të larta, pa kaluar Vetingun.
“Pjesa II, kreu III, i këtij ligji, për pagat dhe për përfitime të tjera është i zbatueshëm për magjistratin, i cili kalon me sukses procesin e rivlerësimit, siç përcaktohet nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, pavarësisht kësaj, në asnjë rast jo më shpejt se 1 janar 2019”, thuhej në pikën e shfuqizuar. Ndërkaq, sipas formulës së parashikuar në ligjin për statusin, paga e një gjyqtari dhe prokurori shkon rreth 3 mijë USD në muaj.
Duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, vështirësitë etj., paga e një gjyqtari dhe prokurori shkon rreth 4 mijë USD në muaj, ndërsa kostoja vjetore për punonjësit e drejtësisë së re shkon 45 milionë USD në vit. Me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria duhet të akordojë fond shtesë për të paguar rreth 800 prokurorë dhe gjyqtarë me paga që janë jashtë realitetit ekonomik shqiptar.
Kërkesa e gjyqtarëve
Rrëzimi i pikës 5 të nenit 169 të ligjit për statusin u kërkuar nga Unioni i Gjyqtarëve. Përpos të tjerave, ata kërkuan rritjen e pagave pa kaluar në filtrat e Vetingut. “Vlerësojmë se kufizimi i përfitimit të pagës dhe përfitimeve të tjera që parashikohen në këtë ligj me kalimin e procesit të Vetingut, jo vetëm që cënon parimin e prezumimit të pafajësisë e barazisë përpara ligjit, por cënon në mënyrë të hapur dhe parimin e proporcionalitetit. Kështu, në rastin konkret nuk justifikohet interesi publik i këtij kufizimi. Madje i pajustifikuar është dhe afati 1 Janar 2019 i vendosur për marrjen e pagës së re”, thuhet në padinë e gjyqtarëve. Gjyqtarët thanë se kushtëzimi i rritjes së pagave me procesin e Vetingut u cenonte nderin dhe dinjitetin. “Kjo dispozitë jo vetëm që cënon parimin e prezumimit të pafajësisë duke e filluar procesin e Vetingut me paragjykim se të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët janë fajtor, por në vetvete kjo dispozitë cënon në thelb nderin dhe dinjitetin e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë qoftë si funksionar publik, qoftë dhe si individ”, thuhet në padi.
Pika e shfuqizuar nga Kushtetuesja
5. Pjesa II, kreu III, i këtij ligji, për pagat dhe për përfitime të tjera është i zbatueshëm për magjistratin, i cili kalon me sukses procesin e rivlerësimit, siç përcaktohet nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, pavarësisht kësaj, në asnjë rast jo më shpejt se 1 janar 2019. Përjashtim nga ky rregull bëjnë magjistratët në institucionet për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilët përfitojnë pagat dhe përfitimet e tjera, sipas këtij ligji, me caktimin në mënyrë të përhershme në këtë pozicion. Gjatë periudhës së rivlerësimit, për magjistratin, i cili ende nuk është rivlerësuar, do të zbatohen parashikimet ligjore përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji në lidhje me pagat dhe përfitime të tjera.
Shtëpi të reja për magjistratët
Kapitulli për përfitimet financiare dhe shoqërore të magjistratëve, në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, parashikon që prokurori dhe gjyqtari me tre vjet eksperiencë mund të marrë kredi të financuar nga shteti, për të blerë shtëpi në qendër të qytetit. Përveç rasteve kur magjistrati i mbulon shpenzimet e tij/saj të akomodimit nëpërmjet një pasurie pa kolateral, magjistratit i jepet e drejta njëherë që gjatë ushtrimit të funksionit të tij, por pasi të ketë ushtruar jo më pak se 3 vjet të detyrës, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti të paktën 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën. Për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Në rast se në një familje, dy persona kanë të drejtë të përfitojnë nga kredi për shtëpi e subvencionuar nga shteti, do të përfitohet vetëm nga një prej tyre.
Llogaritja e pagave të reja për prokurorët dhe gjyqtarët
Neni 12
Caktimi i pagës së magjistratit
1. Paga e magjistratit caktohet sipas përkatësisë së magjistratit në grupin dhe nivelin e
pagës.
2. Paga e magjistratit ndahet sipas grupeve të pagave (G), bazuar në këto tregues:
a) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e shkallës së parë të juridiksionit të
përgjithshëm dhe atij administrativ ose prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë (G1);
b) magjistrati që ushtron funksionin në gjykatat e apelit të juridiksionit të përgjithshëm
dhe atij administrativ, prokuroritë pranë gjykatave së apelit, magjistratët që ushtrojnë funksionin në gjykatën e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
shkalla e parë (G2);
c) magjistrati që ushtron funksionin në Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme,
ashtu si dhe magjistratët që ushtrojnë funksionin në Gjykatën e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Prokurorinë e Posaçme (G3).
3. Shtesa për vjetërsi në ushtrimin e funksionit llogaritet në masën 2 për qind të pagës
referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim.
4. Në rastin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të emëruar nga radhët e juristëve që nuk vijnë nga karriera gjyqësore, për efekt të përcaktimit të vjetërsisë së ushtrimit në detyrë,
shtesa për vjetërsi llogaritet në mënyrë të barasvlershme me atë të 15 vjetëve karrierë
gjyqësore.
5. Paga mujore bruto e magjistratit përbëhet nga elementet si vijon:
a) paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me
“pagën për funksion” të punonjësve të shërbimit civil të kategorisë së parë, klasa e tretë në pozicionin e drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri, ose me çdo pozicion tjetër të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të vendimit të Këshillit të Ministrave. Referimi i pagës mujore bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë me “pagën për funksion”, sipas përcaktimeve të mësipërme, nuk ka si qëllim të përcaktojë vlerën relative të funksioneve gjyqësore dhe të prokurorisë me pozicionet e punës në shërbimin civil ose të mundësojë klasifikimin e tij në kategorinë ose klasën përkatëse;
b) shtesa për pagën në grup, e cila është shuma që rezulton nga shumëzimi i pagës referuese bazë me koeficientin në përqindje, sipas funksionit që magjistrati ushtron, referuar pikës 2, të këtij neni, përkatësisht:
i) G1 90 për qind;
ii) G2 98 për qind;
iii) G3 106 për qind;
c) shtesa për vjetërsi, e llogaritur mbi pagën referuese bazë, sipas pikave 3 dhe 4 të këtij neni;
ç) shtesa për pozicionin drejtues, e përcaktuar sipas parashikimeve të nenit 14 të këtij ligji;
d) shtesë për vështirësi pune, sipas parashikimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com