Ndërsa të ardhurat nga renta minerare për 8-mujorin janar-Gusht shënuan tkurrje në rreth 9%, deputetët në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, duke shqyrtuar ndryshimet në Ligjin Minerar, kërkojnë që renta minerare të llogaritet në bazë të fitimeve dhe jo si një përqindje fikse.

Në bazë të statistikave, publikuar nga Ministria e Financave, të ardhurat nga renta minerare arritën si 8-mujor në vlerën 4.74 miliardë lekë, nga 5.2 miliardë lekë, që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me rreth 16% më pak nga sa pritej.

Rënia e të ardhurave nga renta minerare në eksport lidhet me dy faktorë, tkurrja e eksporteve të produkteve minerare dhe ulja e çmimeve në tregun botëror, tregues që ulën performancën e industrisë nxjerrëse-përpunuese.

Peshën kryesore në të ardhurat nga renta minerare e ka grupi "Lëndët djegëse minerare, vajrat minerare dhe produktet e distilimit të tyre, substancat bituminoze, dyllet minerare", që ka sjellë për 8 mujorin, 87% të totalit të të hyrave në buxhet. Grupi i dytë më peshën më të madhe tek të ardhurat nga renta u takon xeherorëve si hekuri, nikeli, bakri, kromi etj, që shënoi tkurrje në rreth 11%./ATSH/