Bilalli në ‘Studio Live’: Procesi në Hagë ka tendencë të njollosë Kosovën! Turqia më e fituara në Siri, Erdogani e luajti mirë shahun

Në panelin e mbrëmjes së sotme në “Studio Live” të gazetarit Arbër Hitaj, u trajtuan disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare që përfshinin Kosovën, Sirinë, Ukrainën dhe më gjerë.

Mes të ftuarve në lidhje Skype ishte edhe Lutfi Bilalli, diplomat karriere nga Kosova, i cili trajtoi me analizë çështjen e thirrjes së kryeministrit kosovar Albin Kurti në Hagë. Ai shprehu besimin se në fund të procesit ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerët do shpallen të pafajshëm, por i trembej tendencës së procesit për të njollosur Kosovën.

 “Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe gjithë të tjerët nuk besoj së do fajësohen, mendoj dhe shpresoj se në fund do shpallen të pafajshëm. Deri në fund të janarit mund të ketë lajme që dalin jashtë kontekstit, unë dëshiroj që gjykata të mos marrë kontekstin politik dhe e tëra kjo paraqet një rrezik për të kaluarën tonë. Nuk flas për emra të përveçëm, por tërë procesi ka tendencë ta njollosë atë çfarë është bërë në Kosovë. Të gjithë të akuzuarit besoj se janë të pafajshëm dhe në fund të procesit besoj se do dalin të pafajshëm, por duhet ta lëmë që të zhvillohet dhe besoj se nuk do futen deri në atë pikë sa të dëmtohet e kaluara e Kosovës”, u shpreh Bilalli.

I pyetur nëse administrata Trump do ndikonte te çështja e Kosovës në Hagë por edhe me zhvillimet e fundit gjeopolitike, ai tha se presidenti i sapozgjedhur ka probleme të tjera më të mëdha për të zgjidhur.

“Trumpi është njeriu më i fuqishëm në botë dhe nuk besoj se do merret me çështje të kësaj natyre, sepse ka probleme të tjera. Rëndësi ka që procesi të mbyllet dhe brenda vitit 2025, të përfundojë i tërë dhe të shpallet pafajësia. Shpresoj që administrata e re amerikane të jetë korrekte dhe të përfundojë çdo gjë mirë”, u shpreh diplomati i karrierës.

Bilalli dha mendim edhe për situatën në Siri, ku u shpreh se Irani dhe Rusia u dëmtua, kurse Turqia dhe Izraeli dolën më të fituarat me përmbysjen e regjimit të Assad. Ai mendon se fituesi është populli sirian dhe shpresonte të mos ndodhte ajo që ndodhi në Libi.

“Fitues në këtë mes është populli sirian. Goditje për ndikimin e Rusisë dhe Iranit. Nuk besoj dhe shpresoj të bëhet si Libia, se ka problematika të tjera. Turqia dhe Izraeli janë përfituesit e asaj që po ndodh në Siri. Madje Turqia po i afrohet me këto kufij Izraelit. Mendoj se ka qenë projekt i përgatitur mirë. Mendoj se Erdogan ka luajtur mirë shahun e tij dhe ai është politikan i fortë”, tha Bilalli ndër të tjera.

Kurse për situatën e luftës në Ukrainë, Bilalli theksoi se me interes pritet takimi mes presidentit Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin, ku mund të vendosen “zona të reja’ diplomatike për ndikimin në rajon dhe madje Ballkan.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:56
Elezi në Report TV: Rusia qëllime për destabilitet nëpërmjet Serbisë! Vendimi për shtyrje i Kushtetueses në Maqedoni për Gjuhën Shqipe, i duhuri

 

 

I ftuar në “Studio Live” të Report TV mbrëmjen e sotme (11 Dhjetor), ishte edhe Bedri Elezi, ekspert sigurie, i cili foli në lidhje me zhvillimet më të fundit të ditës në Kosovë, Siri, Ukrainë dhe më tej.

U trajtua edhe faktori rus në rajon, ku Elezi vuri theksin te qëllimi i Moskës për të destabilizuar rajonin duke përdorur Serbinë. I pyetur nga moderatori Arbër Hitaj për zhvillimet në Kosovë, ai u shpreh:

“Situata në Serbi mund të manifestohet edhe në Bosnjë apo për të destabilizuar gadishullin ballkanik, përpara takimit të Donald Trump në Rusi me Vladimir Putin, për situatën në Ukrainë. Para këtij takimi mund të ketë përpjekje dhe qëllime për të krijuar destabilitet jo vetëm në Kosovë. Protestat në Serbi mund të manifestohen në Kosovë, me qëllim destabilizimin dhe këto duhen parandaluar dhe duhen marrë masat për ta ndaluar përhapjen e tyre. Kjo i shërben edhe protestave në Serbi, që mund të përhapen më tej, të përdoren edhe faktorët ekstremistë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nëpërmjet elementëve që kanë çështje penale atje”.

Elezi i qëndroi mendimit se Rusia ka strategji dhe projekt të saj pikërisht përpjekpje për destibalizim në Ballkan dhe Kosovë nëpërmjet Serbisë. Por a mund të ndikojë administrata e re Trump në gjetjen e zgjidhjes dhe qetësimit të ujërave gjeopolitikë.

“Trump mund ta shohë zgjidhjen e çështjes nëpërmjet fushës ekonomike, që të fitojnë si Serbia edhe Kosova, praktikë që e ndjek edhe BE, si rasti Gjermani dhe Francë, pra të zhvendoset në bisedime me zgjidhje ekonomike. Dhe Trump e dimë shumë mirë se vjen nga bota e biznesit. Kjo është një zgjidhje e mirë, pasi largon problemet politike”, tha Elezi.

Ndërsa për situatën në Maqedoninë e Veriut dhe shtyrjen e seancës në Kushtetuese për ligjin e gjuhës shqipe, eksperti shprehu mendimin se kjo qetëson situatën dhe ishte vendimi i duhur.

“Përpjekja e Rusisë për destabilizim nëpërmjet Serbisë nuk është vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Ballkanin. Edhe rasti i Maqedonisë në Lepenicë është në këtë kuadër. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni për të shtyrë vendimin për gjuhën shqipe është i duhuri dhe duhet pritur më tej. Sepse mund të përdoret nga segmente të caktuara për të nxitur urrejtje. BE kishte angazhim serioz në këtë çështje dhe është arritur të bindin institucionet kompetente që të trajtohet ndryshe ligji për gjuhën shqipe”, tha Elezi.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

U zgjodh president i SHBA-ve, Donald Trump do të shpallet për herë të dytë 'Personi i Vitit' nga revista Time

U zgjodh president i SHBA-ve, Donald Trump do të shpallet për herë të dytë 'Personi i Vitit' nga revista Time