Bilanci i zi/Ahmetaj, humbësi i 
përhershëm, nga 2005 në 2017

Bilanci i zi/Ahmetaj, humbësi i <br />përhershëm, nga 2005 në 2017
Karriera politike e Arben Ahmetajt, si e rrallëkujt tjetër në Shqipëri, është shënjuar nga disfata të njëpasnjëshme, në të gjitha përballjet elektorale.

Ndaj, rrudhja e Partisë Socialiste në Kavajë, në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017, nuk është një rastësi, por thjeshtë një zgjatim i disfatave sistematike të Arben Ahmetajt, të cilat zënë fill që në zgjedhjet parlamentare të 2005, ku ministri dha kontributin e tij në fitoren e Sali Berishës dhe ngjitjen e Lulzim Bashës.

Seria e humbjeve të Arben Ahmetajt nis në përballjen e tij me Lulzim Bashën, në njësinë numër 7 në Tiranë, në zgjedhjet e 2005, kur aplikohej sistemin mazhoritar. Rezultati i kësaj përballje ishte: Lulzim Basha 7 870 vota ose 48.60 % dhe Arben Ahmetaj 6 395 vota ose 39.49 %.

Në zgjedhjet parlamentare të 2009, Arben Ahmetajt kandidoi sërish për deputet, tashmë në zonën e Devollit të Korçës. Partia Socialiste, në këtë zonë mori 8 449 vota, në një kohë kur në vitin 2005, po në këtë zonë, kishte marrë 11 157 vota. Pra, në 2009, nën drejtimin e fushatës nga Ahmetaj, PS merr në Devoll 2 708 vota më pak. Megjithatë, Ahmetaj u zgjodh deputet, për shkak të ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe renditjes në listë. Në 2009, në Korçë PS dhe PD morën nga 6 mandate.

Në zgjedhjet parlamentare të 2013, Arben Ahmetaj kandidoi në Gjirokastër. Në këtë qark, në zgjedhjet e 2013, Partia Socialiste mori 50 % të votave, në një kohë kur në zgjedhjet e 2009, kishte marrë 55 % të votave. Pra, ka mjaftuar kandidimi i Ahmetajt që PS të binte me 5 % në Gjirokastër. Në zgjedhjet e 2013, në Gjirokastër, Lëvizja Socialiste për Integrim mori 23 % të votave, në një kohë kur në 2005, kishte marrë vetëm 2 %.

Në rritjen e LSI ka ndikuar kalimi i Vangjel Tavos nga PS tek LSI. Meqenëse PS-LSI ishin në një koalicion, faktori ‘Tavo’ e shpëtoi Ahmetajn. Pavarësisht këtij bilanci të zi elektoral, Ahmetaj u emëruar në krye të sektorit të ekonomisë dhe më vonë në atë të financave.
 
Humbja e dyfishtë  
Emri i Arben Ahmetajt tashmë lidhet me ringritjen e Partisë Demokratike në Kavajë, që pas goditjeve që mori në zgjedhjet lokale të 2011, më vonë në zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe sërish në zgjedhjet lokale të 2015.

Partia Socialiste, nën drejtimin e fushatës nga Arben Ahmetaj, humbi Bashkinë e Kavajës si dhe pësoi në të njëjtën kohë rënie me gati 13 % në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017, krahasuar me rezultatin në zgjedhjet e 2013. Vetëm në Golem, nën drejtimin e Ahmetajt, PS mori 1889 vota, duke rënë me 8.57 %, krahasuar me 2013.

Ndërsa Partia Demokratike mori 1384 vota, duke shënuar një rritje me 2.68 % nga 2013 dhe LSI 571 vota duke shënuar një rritje me 8.14 % nga 2013. Ndërsa në garën për Bashkinë e Kavajës, përfaqësuesi i Partisë Socialiste humbi për 28 vota, në një kohë kur, vetëm dy vjet më parë, përfaqësi i PS fitoi në zgjedhjet për drejtimin e Bashkisë së Kavajës me 63.61 % të votave.

arben ahmetaj
Meta votoi kundër shkarkimit, Ahmetaj ia shpërblen në Kavajë?
Vetëm disa javë më parë, Ilir Meta votoi kundër shkarkimit në Kuvend si ministër i Financave, por nuk ka vonuar shpërblimi nga Arben Ahmetaj, i cili në kundërshtim me linjën zyrtare të PS, ruajti raportet me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke fundosur Partinë Socialiste në Kavajë si dhe duke i rrezikuar mandatin e 18 në Tiranë.

Ahmetaj linjë të butë me LSI në Kavajë, ndëshkoi PS
Përfaqësues të PS kanë dyshime të forta se, flirti i kahershëm dhe i fshehtë mes ministrit më të pasur socialit dhe LSI është reflektuar dhe jetësuar politikisht në Kavajë, duke dobësuar pozitat e Partisë Socialiste.

Pozicioni i prerë i Edi Ramës kundër LSI dhe denoncimi raportit të saj abuziv me pushtetin, shtoi votat për Partinë Socialiste në të gjithë Shqipërinë, duke i dhënë PS timonin e drejtimit të vendit, pa aleanca kushtëzuese.

Por, në Kavajë, ku fushata është drejtuar nga Arben Ahmetaj, kemi një kundërprovë. Ndryshe nga drejtuesit e tjerë të fushatës, të cilët zbatuan strategjinë kundër LSI, Arben Ahmetaj, vijoi linjën e butë me LSI.

Kjo linjë personale e tij, ku nuk sulmoi asnjëherë LSI, prodhoi një rezultat negativ për PS, krahasuar me zgjedhjet e 2013. Për rrjedhojë, nëse PS shtoi votat në të gjithë Shqipërinë, Kavaja u kthyer në një damkë në tablonë e fitores së madhe.

Nëse Partia Socialiste, në rang kombëtar u rrit me 6.7 %, në Kavajë pësoi rënie me rreth 13 %.

Çudia me shifrat/PS në Durrës rritje 7.36 %, në Golem rënie me 8.57%
Rënia e Partisë Socialiste në njësitë e Bashkisë Kavajë, nën drejtimin politik të Arben Ahmetajt, merr një tjetër dimension, nëse krahasojmë rezultatin në këto njësi me njësitë e tjera kufizuese, pjesë të Bashkisë së Durrësit.

Për shembull, ndarja mes Golemit dhe Durrësit është krejtësisht formale, sa i takon përkatësisë politike të banorëve dhe vijës administrative, por nën drejtimin e fushatës nga ministri më i pasur socialit, PD dhe LSI i kanë marrë terren PS në Golem, duke i rrezikuar një mandat PS në Tiranë.

Nëse Partia Socialiste në Durrës, nën drejtimin e fushatës nga Vangjush Dako, në zgjedhjet e 2017, është rritur me 7.36 % krahasuar me rezultatin në zgjedhjet e 2013, PS në Golem, nën drejtimin e fushatës nga Arben Ahmetaj ka pësuar një rënie me 8.57 % krahasuar me 2013.

Në Durrës, në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, PS ka marrë 48.288 vota ose 48,39 %, duke shënuar një rritje me 7.36 % nga zgjedhjet parlamentare të 2013, ku mori 41,03 % të votave.

Në Durrës, në zgjedhjet e 2017, Partia Demokratike ka marrë 27.415 vota ose 27,47 % të votave, duke shënuar një rënie prej 5.64 % nga zgjedhjet e 2013, ku mori 33,11% votave. Po në Durrës, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 17.364 vota ose 17,40 %, duke shënuar një rritje me 8.68 % nga zgjedhjet e 2013.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS