Bill Tilman i quajtur shpesh nga shtypi i specializuar perëndimor si “Eksploratori më i madh i shekullit të XX” ishte anëtar i grupit eskluziv të eksploratorëve Botërore të "Royal Geographic Society". Ai ishte një personazh i cili i përkiste "brezit të humbur" të dalë pas Luftës së Parë Botërore. Pasi kishte shpëtuar gjallë nga tmerret e betejave, i ishte dedikuar përjetësisht pushtimit të majave më të larta në Botë.
Mik i ngushtë me legjendën tjetër të maleve Eric Shipton, së bashku eksploruan një sërë vendesh si në Patagoni, Afrikë, Juglindjen e Azisë dhe sigurisht... dhe të papushtuarat deri më atëherë: Himalajat. Tilman është një nga dy eksploratorët e parë që ngjitën majën e Nanda Devit në Himalaja, maja më e lartë e pushtuar nga njeriu. Suksesi i kësaj ekspedite bëri që fama e tij të ishte a pazakontë dhe si rezultat iu besua drejtimi i ekspeditës për ngjitjen e Everestit më 1938. Kjo ekspeditë, për mënyrën se si u realizua dhe rezultatin që solli, hyri në analet eksploruese si "stili Tilman & Shipton".
Por Tilman ishte dhe një shkrimtar brilant, i cili kontribuoi shumë në krijimin e letërsisë së udhëtimeve. Ai botoi një numër të madh librash rreth udhëtimeve të tij eksploruese, vendeve dhe njerëzve që takoi.
Gjatë Luftës se dytë Botërore, për eksperiencën e pasur në njohjen e maleve dhe luftës guerrile, ai u caktua të shërbente në Grupin elitar të njohur si SOE, pararendësja e "Beretave të Gjelbra" të Forcave Komando angleze. I stërvitur në përdorimin e eksplozivit dhe krijimit të grupeve partizanë, Tilman u parashutua në malet e Shqipërisë për të ndihmuar partizanët shqiptarë në goditjen e vijave të komunikacionit gjerman.
Jetën e tij mes maleve shqiptare Tilmani e solli në Librin e tij të famshëm “Kur Malet dhe Njerzit takohen” ku me detaje shumë të bukura ai përshkroi eksperiencën e tij mes partizanëve. Por përtej historisë shumë interesante që mbart në vetvete
ky personazh, figura dhe jeta e Bill Tilmanit në malet shqiptare mund të jete zanafilla e krijimit të intenerareve turistike në gjurmët e tij. ‘Një njeri si Tilman respektohet shumë në klubet alpinistike në botë. Për këtë arsye promovimi i figurës së tij mund të jetë një mundësi e madhe për tërheqjen e të apasionuarve pas eksplorimeve. Në këtë mënyrë jo vetëm zona e Zagorisë por edhe malet e tjera shqiptare mund të jenë shumë atraktive për këta turistë të cilët ndjekin gjurmët e Tilmanit” shton Auron Tare i cili sëbashku me kryetarin e Komunës së Zagorisë organizoi vendosjen e një pllake përkujtimore në sheshin e fshatit Nivan. “Zagoria ka mundësi të mëdha për të zhvilluar atë që në gjuhën e turizmit quhet turizmi kulturor. Për këtë arsye me shumë pak marketing të fokusuar në figura të njohura ndërkombëtarisht si alpinisti Bill Tilman, Zagoria mund të tërheqë shumë turistë. Mjafton të shikosh modelin e Zagorisë Greke për të kuptuar potencialin e madh që ka kjo zone”.
Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)