Portieri i Juventusit, Michele Di Gregorio po kalon momentin më të vështirë që kur u transferua te Juventusi në verën e vitit 2024.
Portieri bardhezi nuk ka bindur me paraqitjet e tij në ndeshjet kundër Comos dhe Interit, me dy gabime që në të dyja rastet iu kanë dhënë avantazhin skuadrave kundërshtare dhe për fat të keq, ashtu siç ndodh në të tilla raste, në rrjetet sociale kalohet çdo limit.
Pas humbjes 0-2 kundër Comos, Di Gregorio është detyruar të mbyllë sektorin e komenteve në profilin e tij në rrjetin social 'Instagram' pas fyerjeve të shumta të marra në javët e fundit. Përveç fyerjeve, Di Gregorios i është dashur të bëjë llogaritë edhe me kërcënimet ndaj familjarëve të tij.
E përditshmja ‘Tuttosport’ evidenton fyerjet e marra nga portieri që përpara nisjes së ndeshjes me Comon. Gjatë nxemjes disa tifozë (që vetëm të tillë nuk mund të përkufizohen) i kanë bërtitur futbollistit duke iu drejtuar me frazën; ‘Bir k….’ apo ‘interist’ për shkak të së kaluarës së tij në akademinë zikaltër.
Michele Di Gregorio, po, ka bërë disa gabime, por situata ka tejkaluar çdo limit, duke qenë se portieri gjithsesi nuk është shkaku i periudhës negative të Juventusit.
Edhe trajneri Luciano Spalletti i është gjendur pranë dhe nuk përjashtohet mundësia që Di Gregorio të bëjë pushim në ndeshjen me Galatasaray (nesër në 21:00 në Torino). Sfida e parë në Stamboll foli 5-2 për turqit, me Juven që ka një detyrë të vështirë përpara për përmbysjen.
Komente






