Prodhuesit vendas ende nuk po arrijnë të ulin stokun e birrës të grumbulluar gjatë stinës së verës, për shkak të pritshmërive për rritje konsumi nga turizmi.

Stoqet e grumbulluar ndikuan në rënien e prodhimit për muajt shtator -nëntor 2025. Sipas të dhënave të Doganave për këtë periudhë prodhimi ra 11% krahasuar me muajt shtator-nëntor 2024.

Ndërsa për 11 mujorin 2025 sipas të dhënave të Doganave u prodhua një sasi prej  37,7 mln litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, prodhimi është rritur 8%,  duke qëndruar në nivelet më të larta pas periudhës së pandemisë së Covid-19.

Për shkak të pritshmërive për shtim të kërkesës gjatë sezonit turistik gjatë muajve të verës operatorët kryesorë pohuan se rritën gati 10% prodhimin, për shkak të parashikimeve optimiste për shtim konsumi nga turizmi.

Rritja më e lartë e prodhimit rezulton se ka qenë në muajin korrik 2025. Sipas të dhënave të Doganave për muajin korrik u prodhuan 6,1 mln litra birra apo 35% më shumë se muaji korrik 2024.

Megjithëse disa nga fabrikat më të mëdha rritën prodhimin në muajt e verës, pas përfundimit të sezonit turistik operatorët raportuan se pjesa më e madhe e birrës u magazinua, pasi rritja e pritshme e konsumit nga turizmi nuk është realizuar. Operatorët pohuan se për sezonin turistik dominuan turistët low cost , që më tepër konsumonin në ambientet me qira sesa në bare dhe restorante.

Sipas prodhuesve janë edhe disa faktorë të tjerë ndikojnë në pengimin e rritjes së konsumit të birrës vendase, që nga Akciza e aplikuar për prodhimin vendas që prej 2023 është e barabartë me akcizën e shoqërive importuese; Çmime konkurruese nga birrat e importit, si pasojë presion konkurrues mbi çmimet; Ulja e konsumit të pijeve alkoolike në tërësi në ambientet familjare dhe konsumi i tyre kryesisht në bare dhe restorante, ku çmimet e ofruara janë të larta (çmimi mesatar për shishe 0.33 l ose kanaçe 0.5 l në dyqan është 80–120 lekë, ndërsa në bare dhe restorante 200–350 lekë).

Ndërsa importet e birrës vijojnë të jenë me rënie, e cila nisi që në muajin korrik 2025 sipas të dhënave të Doganave.

Për periudhën janar-nëntor është importuar një sasi prej 51,6 mln litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s importet kanë rënë 4.3%.

Drejtues të një prej kompanive importuese të birrës në vend pohuan më herët se gjatë muajve të verës hasën rënie të konsumit, e ndikuar nga disa faktorë përfshirë numrin më të ulët të turistëve për sezonin 2025 në raport me sezonin e kaluar, abuzimi me çmimet e shitjes së birrës së importit në zonat bregdetare përgjatë stinës së verës, si dhe me aksionet e nisura nga qeveria në muajt e verës për lirimin e hapësirave publike.

Aksioni për lirimin e hapësirave që nisi në muajt e verës u shoqërua me heqjen e tendave të shumë bare dhe restoranteve në vend.

Por pavarësisht rënies së tyre dhe shtimit të prodhimit të ndikuara nga tendencat e konsumit, importet vijuan të zënë peshën kryesore të tregut në vend. Për janar -nëntor 2025 pesha e tyre arriti 58% kundrejt peshës prej 42% që zuri prodhimi vendas./ Monitor