Biseda në Whatsapp/ Flamur Noka 'i lutet' Nikollës: Jepja dhe një herë fjalën Berishës! SMS dhe me Manjën, reagon ministri: E njoh prej 10 vitesh! Alibeaj: Bashkëpunojnë për të sulmuar PD

Biseda në Whatsapp/ Flamur Noka 'i lutet' Nikollës: Jepja dhe një herë fjalën Berishës! SMS dhe me Manjën, reagon ministri: E njoh prej 10 vitesh! Alibeaj: Bashkëpunojnë për të sulmuar PD

Flamur Noka në Kuvend duke folur në Whatsapp

Një foto nga celulari i Flamur Nokës, nga biseda e tij në Whatsapp ka zbuluar shumë. Në seancën e sotme plenare, Noka i ka dërguar një mesazh Kryeparlamentares Lindita Nikolla, ku "i lutet" që t'ia lërë edhe një herë fjalën Sali Berishës në Kuvend për procedurë e ndërsa i thotë se do ikin më pas nga seanca.

"Edhe një herë Berisha për procedurë dhe ikim ne", duket teksa i shkruan Noka-Nikollës.

Ndërkohë, Noka ka folur edhe me ministrin Ulsi Manjën nga PS. Për çfarë, nuk kuptohet qartë.

Këto mesazhe në telefonin e Nokës, nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj i ka konsideruar si prova të bashkëpunimit të tij dhe Berishës me Edi Ramën. Sipas Alibeajt, ata nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër sulmojnë Bashën.

E menjëhershme ishte përgjigjja e Nokës pas deklaratës së Alibeajt, i cili tha se tashmë të gjithë e dinë se kush bën pazare, teksa thekson se ditët të vijim do të tregojnë edhe pse dështoi komisioni i inceneratorëve dhe kush përfitoi.

Një përgjigje për Alibeajn e pati edhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili, ndonëse nuk sqaroi se për çfarë kishte biseduar me Nokën, tha se është normale që të ketë shkëmbime mesazhesh me dikë që është prej 10 vitesh në sallën e Kuvendit. Akuzave për 'komplot me Berishën' për të sulmuar PD, Manja iu përgjigj duke thënë se ata i artikulojnë sulmet, sipas halleve që kanë.

Mesazhet në telefonin e Nokës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:49
Mesazhi në telefonin e Nokës, flet Ministri i Drejtësisë, i përgjigjet edhe Alibeajt për 'komplotin' me foltoren

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar në lidhje me mesazhin që u zbulua sot në telefonin e Flamur Nokës. Ndonëse nuk tregoi bisedën e zhvilluar mes tyre, Manja tha se është normale që ai të bisedojë me Nokën me të cilin njihet prej 10 vitesh. Manja iu përgjigj edhe akuzave të Enkelejd Alibeaj për komplot të qeverisë Rama me Sali Berishën.  

"Paska thënë se ka zbuluar komplot të madh të Berishës me Ramën nga një sms që paskam shkëmbyer unë me Flamur Nokën. Po more zotëri, njerëz jemi, kam 10 vite me Flamur Nokën në këtë sallë, nuk është faji im që e keni shpall Flamur Nokën kulak. Do flas me Nokën, do flas edhe me ju sepse nesër ju prap në një krah jeni, por kur të pajtoheni ju parap ne nuk mund të prishim raportet miqësore në këtë sallë. Komplot i madh i foltores me qeverinë Rama. Tani që keni hallin që keni, një herë thoni Rama është me foltoren, pastaj me atë tjetrin. Jo mo jo, Rama është kryeministër i Shqiptarëve. Pastaj sa për luftën kundër korrupsionit këtu kemi goxha diference në fakt", tha Manja.

Ora 17:06
Nokës iu publikua biseda në Whatsapp me Nikollën, Alibeaj: Provë e bashkëpunimit me Ramën, ja si koordinojnë luftën kundër PD

1638639240_alibeaj.jpg

Komunikimin në Whatsappn të Flamur Nokës me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën ku i kërkon që t'i jepet edhe njëherë fjala për procedurë Sali Berishës, Enkelejd Alibeaj e ka konsideruar si provë të bashkëpunimit të tyre me Edi Ramën. Sipas Alibeajt, ata nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër sulmojnë Bashën.

"Që prej 9 shtatorit, Sali Berisha, për të hequr vëmendjen nga non grata e tij për korrupsion, ka nisur një fushatë të turpshme shpifjesh e mashtrimesh kundër lidershpit të PD. Ndërsa hedh mashtrime nga më ordineret, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë të pasurohen duke bashkëpunuar me Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Edi Ramës i duhet një njeri si Sali Berisha, ish-kryeministri i vetëm në Europë i shpallur non grata për korrupsion, një njeri i izoluar nga SHBA dhe BE. Prandaj Rama i ka vënë në dispozicion gjithë makinerinë e propagandës së tij duke bashkëpunuar më së miri me të, siç ndodh dhe në këtë komunikim të kapur nga mediat ku Flamur Noka bashkërendon me Ulsi Manjën dhe Lindita Nikollen. Nga njëra anë ndajnë pazare dhe koordinojnë luftën kundër PD, nga ana tjetër foltorexhinjte non-grata sulmojnë lidershipin e PD. Kushdo me sy në ballë e mend në kokë e kupton tashmë se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Rama dhe Berisha janë njësoj. Zgjidh Ramën dhe merr edhe Berishën. Zgjidh Berishën dhe merr Ramën", shkruan Alibeaj.

Ora 17:06
Publikimi i mesazheve në Whatsapp, Noka i përgjigjet Alibeajt: Është e qartë se çfarë kam komunikuar! Nuk bëj biseda për pallate te 5 Maji

Flamur Noka i është përgjigjur akuzave të Enkelejd Alibeajt se bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama për të goditur PD, pas publikimit të mesazheve që ai i dërgoi gjatë seancës sot në Kuvend Kryeparlamentares, Lindita Nikolla. Noka shkrusn në Facebook se është e qartë biseda që ai ka zhvilluar me Nikollën, teksa thekson se ai nuk flet për pallate te 5 Maji. Sipas Nokës, shqiptarët e kanë parë se kush bën pazare, teksa thekson se ditët të vijim do të tregojnë edhe pse dështoi komisioni i inceneratorëve dhe kush përfitoi.

Postimi i plotë:

Sot, Shoqata e Bravave nepermjet pengut te Kapllan Pallateve te 5 Majit paska ciceruar kunder meje.

Une kurre nuk kam bere e as nuk bej biseda per pallate tek 5 Maji a tjeterkund, dhe as per para inceneratoresh sic ben kreu i shoqates me zevendesen e tij, apo me media qe ju ben fushate atyre.

Une kam komunikuar me Kryetaren e kuvendit qe ti jepet fjala ish Kryeministrit Berisha. Sms-ja e tregon qarte.  Ulsin le ta pyesin se pse kam komunikuar. Nuk kam bere pazare qe te me fuse ne pune gruan sic i ka kerkuar  pengu i pallateve te 5 Majit.

Flamur Noka i ka kerkuar te rrije larg pazareve Rama-Brava ne Diber. Ai mund t’jua thote vete ai pse debatuam.

Se kush ben pazare shqiptaret e kane pare ne 17 Maj. Milionat dhe karriget e ministrave nga Edi Rama i kane marre vetem kllounet e shoqates Basha - Bardhi ndersa Flamur Noka bashke me te gjithe demokratet e vertete kane marre burgjet e regjimit, gazin lotsjelles dhe 6 pale zgjedhje te humbura si fature e pazareve Rama - Brava.

Ditet ne vazhdim do te tregojne se pse deshtoi komisioni i inceratoreve, kush perfitoi, e cfare ndodhi ne pazarin Rama-Brava.

B.K.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital

Aksident në Fushë Milot, 38 vjeçari me makinë përplaset me 2 mjete! Tre pasagjerët e njërës prej tyre përfundojnë në spital