President i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar në një konferencë për mediat se është i gatshëm për të rinisur dialogun me Kosovën, por për këtë kërkon që kjo e fundit të heqë dorë nga taksa ndaj mallrave serbe.
“Në çdo dialog duhet të ekzistojnë rregulla që duhet të respektohen nga të dyja palët. Presim që Prishtina ta realizojë punën e saj dhe në mënyrë të civilizuar të heqë taksën ndaj mallrave nga Serbia. Nëse e bëjnë këtë, jemi të gatshëm që menjëherë t’i vazhdojmë bisedimet”, ka thënë Vuçiç para gazetarëve, transmeton media kosovare "Zëri".
Po sipas kësaj mediaje, Vuçiç është shprehur se "fatkeqësisht unë nuk mund të garantoj që Prishtina t'i respektojë marrëveshjet dhe ta bëjë punën e vet".
Qeveria e Kosovës vendosi po këtë të mërkurë që taksat përkundrejt mallrave serbe nga 10 për qind të rriten në 100 për qind. Ky vendim nuk dihet tanimë se çfarë reagimesh do të prodhojë brenda qeverisë serbe.