Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se negociatat për përfundimin e luftës kanë vijuar edhe këtë të hënë, në nivel ekipesh mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane.
Në një videomesazh, ai u shpreh se procesi diplomatik po vijon aktivisht dhe se pala ukrainase po punon në mënyrë konstruktive për të arritur një përfundim dinjitoz të luftës, të shoqëruar me garanci sigurie për vendin.
“Sot u zhvillua një tjetër bisedë në kuadër të grupit negociator, në nivel ekipesh, mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Proceset diplomatike po vijojnë në mënyrë aktive dhe shpresojmë që të mos jenë të kota. Ekipi ynë po punon në mënyrën më konstruktive të mundshme. Na nevojitet një përfundim dinjitoz i luftës dhe garanci sigurie për Ukrainën.”- tha Zelensky.
Zelensky bëri të ditur se në diskutimet online morën pjesë edhe përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ndërsa nga pala evropiane, për herë të parë në këtë format, ishin të përfaqësuara Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Polonia, institucionet e Bashkimit Evropian dhe NATO.
“Edhe ekipi amerikan është i përfshirë aktivisht në këtë proces. Steve Witkoff dhe Jared Kushner morën pjesë sot në një bisedë online. Për herë të parë, Evropa u përfaqësua në këtë diskutim në tërësinë e saj, përmes vendeve dhe institucioneve që do të përfaqësojnë Ukrainën në negociatat me rusët. Bëhet fjalë për Francën, Gjermaninë, Britaninë, Italinë, Poloninë, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përkatësisht Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, si dhe një përfaqësues të NATO-s. Biseda nuk ishte e lehtë, por rezultat pati: në Berlin, në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve, do të takohemi për të hartuar hapa konkretë të përbashkët në procesin e negociatave.”- tha presidenti ukrainas.










Komente
Komento