“Më lini t'iu them, situata në Ukrainë është një rrëmujë”. Nuk është inkurajues komenti që presidenti Donald Trump bëri dje, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë, pikërisht në momentin kur i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri Jared Kushner takonin Vladimir Putin në Moskë për të diskutuar planin e ri të paqes të përditësuar në 19 pika – më pak filorus sesa ai prej 28 pikash i paraqitur nga SHBA-të – gjatë bisedimeve të Gjenevës. Uashingtoni dëshiron përfundimin e luftës, por nëse e detyron Kievin të kapitullojë për ta arritur atë, arna mund të bëhet më e keqe se vrima. Trump e di, por deri tani nuk ka treguar vullnetin për të ushtruar presion mbi kreun e Kremlinit deri në pikën që ta detyrojë të pranojë një negociatë të ndershme. Dhe Putini e ka kuptuar, duke sfiduar të gjithë Evropën në duel dhe duke paralajmëruar se nëse rivali Zelensky nuk i jep atë që ai pretendon në tryezën e negociatave, ai do ta marrë gjithsesi me forcë ushtarake.
Witkoff u nis për në Moskë i rënduar nga bagazhi i telefonatës me të cilën i jepte sugjerime këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov, mbi mënyrën se si të joshte kreun e Shtëpisë së Bardhë. Një zbulim që, sipas shumëkujt, i ka bërë të humbasë çdo besueshmëri si ndërmjetës, duke konfirmuar se administrata amerikane i mban rivalët rusë në konsideratë më të madhe sesa aleatët ukrainas. Witkoff e kishte shkruar planin me 28 pika nën diktatin e të dërguarit të posaçëm të Putinit, Kirill Dmitriev, edhe ai i pranishëm dje në tryezën e Moskës. Pas refuzimit nga Zelensky dhe europianët, teksti u rishikua në samitin e Gjenevës ku mori pjesë sekretari i Shtetit Rubio, duke e reduktuar atë në 19 pika që lënë të hapura disa çështje kyçe.
Të dielën Rubio, Witkoff dhe Kushner u takuan në Miami me këshilltarin për sigurinë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, për të përsosur detajet, duke filluar nga kufijtë e rinj “de facto” që Kievi duhet të pranojë për të kënaqur Putinin. Në fund të bisedimeve, vetë Rubio pranoi se “ka ende punë për të bërë”, prandaj drafti që të dërguarit amerikanë çuan dje në Rusi nuk ishte ende ai përfundimtar.
Çështjet kyçe për t’u zgjidhur janë të paktën katër: cilat territore duhet të braktisë Ukraina, pa e formalizuar dorëzimin, meqë Kremlini pretendon gjithë Donbassin edhe pa e kontrolluar atë; çfarë përmasash do të kenë forcat e saj të armatosura, të cilat, sipas draftit të parë, duhej të zbrisnin në 600.000 vetë, por i dyti e ripozicionon në 800.000; cilat do të jenë garancitë e sigurisë, sepse nëse nuk hyn në NATO, Zelensky dëshiron të paktën një angazhim me shkrim nga SHBA-të për të mbrojtur vendin e tij nga një pushtim i mundshëm, nëse jo i mundshëm, i ri. Hyrja në Aleancën Atlantike më pas do të mbetej pezull, me një heqje dorë për momentin, pa e kodifikuar përfundimisht në Kushtetutë. Nëse SHBA-të e mbështesin vërtet këtë formulë, ai që duhet ta pranojë më pas është Putini, i cili dje bëri të qartë se nuk ka asnjë synim për këtë, i bindur se është në avantazh, midis avancimit të ngadaltë në terren dhe skandalit të korrupsionit që ka goditur Kievin.
Kur Trump komentoi në Shtëpinë e Bardhë, bisedimet në Kremlin ishin ende në vazhdim: “Kam zgjidhur tetë luftëra. Kjo do të ishte e nënta, dhe njerëzit tanë janë në Rusi në këtë moment për të parë nëse mund t’ia dalim. Nuk është një situatë e lehtë, më lini ta them, është një rrëmujë”. Më pas shtoi: “Po përpiqemi të shpëtojmë jetë, mes 25.000 dhe 30.000 njerëz në muaj, gjysma e një stadiumi të madh futbolli. Do të kem përditësime për takimin në Moskë pas kësaj mbledhjeje të kabinetit”.
Pas dështimit të samitit në Anchorage , Trump dukej se ishte lodhur nga kërkesat e Putinit. Ai mendoi t'i jepte Zelenskyt raketa Tomahawk me rreze të gjatë veprimi, pastaj hapi derën për një takim të ri në Budapest me presidentin rus dhe më pas vendosi sanksione mbi sektorin e naftës së Moskës. Megjithatë, asgjë vërtet vendimtare, dhe menjëherë pas kësaj ai propozoi një plan me 28 pika për kapitullimin e Kievit. Sot, Witkoff do të takohet me Zelensky-n për ta informuar atë për takimin me Putinin dhe për të përcaktuar nëse paqja është më në fund e mundur./La Repubblica
Komente











Se kuptoj çfare pret bota nga keto takime..Sa te jete ne pushtet z.Trump Ukraina do jete e diskriminuar dhe planet per paqe jane projecte kot,me kalu rradhen.Rusia do vazhdoje te marri territore,dhe kur te doje kjo do perfundoje lufta.Europa eshte out complet.Ne kete rast,populli ukrainas,i cili po vuan kot,eshte viktima e kesaj lufte.Kane rreth 4 vjet qe luftojne heroikisht e per çfare?Per lirine ë?Gjynah.
PërgjigjuMos je me origjine Skllavi ti qe duket kot te luftosh per lirine???