Lajmet e fundit flasin për zmadhime të freskëta të paligjshme vilash pushimesh nga ish-funksionarë të Shtetit që fëmijët i kanë me Ferrari si të ishin pasanikët brez pas brezi të familjeve në perëndim, e jo si ne të gjithë, të dalë nga 50 vjet komunizëm që shfarosi e zhduku çdo të mirë materiale, e mbi të gjitha funksionarë të shtetit më të varfër në Europë.
Përgjithësish i quajmë zengjinët e rinj, por këta individë do të plaken e do të vdesin dhe me urinë e madhe shpirtërore që kanë do të ndjehen barkbosh deri në fund. Janë njerëz që nuk dinë t’i gëzohen një luleje, një agimi magjik, yjeve, erës, dashurisë për njëri tjetrin. Dëshirojnë të ulen në divanë me damaskë të artë, pavarësisht se në atë divan nuk kanë askënd me kë të bisedojnë plot dashuri e pa interes.
Një mik nga Tirana, një nga ata argjendarë që punon plot pasion e në respekt të rregullave më tregoi: “A e di Alba se edhe sot 95 përqind e parellinjve të Tiranës blejnë bizhuteri të vjedhura?” Më tregoi rastin e njërës që mbante në gisht një diamant shumë të shtrenjtë. “A e di sa shumë kushton – e kishte pyetur argjendari zonjën – Nuk kushton edhe aq”, i ishte përgjigjur gruaja, inkoshiente dhe e paditur sepse e kishte blere të vjedhur nga dikush.
Ndërsa në Shqipëri luftohen trafiqet e qënieve njerëzore, ato të drogave e çdo lloj trafiku tjetër, sipas mikut tim argjendar, po lulëzon si asnjëherë tjetër trafiku i sendeve të çmuara të vjedhura nëpër vilat e Italisë, Greqisë dhe vendeve të tjera të Europës.
“Në Perëndim është e pamundur të shiten mallrat e vjedhura, sidomos bizhuterite dhe orët e shtrenjta janë të gjitha me kod. Ato vijnë në Shqipëri, ku blihen me çmim disi më të lirë nga paria shqiptare”, më tregon ky mik.
Para 15 vitesh, njoha një grua ish-ministri që kishte pasionin të blinte çdo gjë te një tip që shiste nëpër Tiranë bizhuteri të vjedhura e krenohej me to. Habitesha atëherë, siç edhe habitem sot. Në jetën time vetëm 3 bizhuteri kam dhe për mua mbartin dhe një datë të shënuar: një ma dhuruan prindërit kur u diplomova, një im shoq kur linda vajzën e një tjetër dy miq në një përvjetor. I ruaj si gjërat më të bukura sepse kanë dhe historinë e tyre. Sa vlerë dhe si do t’ua lënë fëmijëve bizhuteritë e vjedhura elitat e Tiranës? “Merre bija ime këtë. E kam blerë fare lirë se ishte e vjedhur?”
Të paktën, të nisim e të bëhemi sa më shumë e t’i përçmojmë, derisa në Shqipëri të nisë e të zbatohet seriozish LIGJI.