Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në vend japin sugjerimet e tyre lidhur me ndryshimet në paketën fiskale, por edhe të ligjeve ekonomike.
 
Duke diskutuar një për një ligjet ekonomike, fillimisht kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Nikolin Jaka tha se për paketën fiskale nuk janë konsultuar grupet e interesit.
 
“Paketa duhet t’i shërbejë zhvillimit të qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe sipërmarrjes.

Është e thjeshtë të thuash përjashtojmë bizneset e vogla nga taksat, por cilat biznese?! Ngërçi këtu është te strukturat e ndërmarrësisë. Kjo mund të sjellë vend edhe për abuzime”- tha z. Jaka.
 
Nga ana tjetër, duke përfshirë mendimet e të gjithë bizneseve, ai shprehu sugjerimin se duhet bërë kujdes në ndarjen dhe kategorizimin e profesioneve të lira, për vendimin e rritjes së masës së kontributeve për to. “Duhen analizuar aftësitë e tyre në treg dhe të bëhet një kategorizim sipas kësaj”- tha kreu i DhTI.
 
Një tjetër çështje që u diskutua ishte rritja e taksës së industrisë së sigurimeve. Sipas përfaqësuesve të Dhomave, industria e sigurimeve në vendin tonë, ndonëse e vogël, ka një trend rritës dy vitet e fundit. Rritja e taksës do frenojë këtë industri dhe do të stopojë sigurimin vullnetar.
 
Ndërsa Luan Bregasi nga Biznes Albania, listoi 5 çështje, që sipas tij duhen parë me një sy kritik për t’u ndryshuar. ” Jemi dakord me formalizimin, por duhet parë legjislacioni me kujdes, duhet raport mes masës administrative dhe dënimit penal. “- tha z. Bregasi, duke u ndalur edhe te kërkesa për uljen e taksës së banesës për shërbime dhe tregti, te taksa e fjetjes, te ligji i akcizës etj.
 
Stefan Pinguli foli për problemet në fushën e prodhimit të birrës. Sipas tij, ligji i akcizës dëmton prodhimin vendas. “Më mirë të ulet akciza e vendit dhe të rritet ajo e importit. Klima e prodhimit të birrës në vend nuk është e mirë ndaj ka shumë import. Me këto politika të huajt nuk tërhiqen të investojnë në vend por më mirë sjellin prodhimin e tyre.”- tha z. Pinguli. Ai shtoi se të gjithë prodhimin e birrës e bëjmë me mall importi, nuk ka eskluzivitet pasi kostot janë të larta.
 
Përfaqësues nga industria e hotelerisë dhe turizmit shprehen mendimet e tyre, duke i sugjeruar komisionit uljen sa më shpejt e taksës së turizmit në 10%, pasi me fluksin e turistëve që Mesdheu ka, Shqipëria nuk është konkurruese vetëm për taksën.
 
Përfaqësuesi i Dhomës së Fasonëve Gjergj Gjika shprehu shqetësimin e tij për taksën e ambienteve që përdoren për shërbime e tregti. Sipas tij, më e larta në rajon dhe dëmton sipërmarrjen.
 
Ndërsa përfaqësues të industrisë së bukës në vend deklaruan se, ky treg ka vuajtur prej kohësh nga informaliteti, që dëmtonte bizneset e rregullta.
“Jemi dakord me formalizmin e ekonomisë, por edhe lëshimi i kuponit tatimor për një byrek nuk është normale”- deklaruan ata, duke shtuar se propozimi i tyre bazohet në uljen e tvsh për këtë sektor. Ata argumentuan se janë rritur kostot.
 
Deputeti opozitar Spaho iu drejtua bizneseve duke i pyetur në janë dakord me heqjen e taksës për biznesin e vogël dhe se, a do të ishte më e mirë për to një politikë subvencionuese në vend të uljes së taksave.
Nikolin Jaka tha se jemi dakord në parim me heqjen e tvsh për biznesin e vogël, por jemi ende në ngërçin e se çfarë duhet të trajtojmë si biznes të tillë, pra një kategorizim më të mirë. “jemi dakord me disa grupe si biznese familjare, persona fizik, bujqësi, por jo në rastet e bizneseve të cilët do blejnë mall me tvsh dhe do e shesin pa tvsh”- tha z. Jaka.
 
Edhe kreu i AmCham z. Mark Crawford aprovoi vendimin e heqjes së taksës për bizneset e vogla, por theksoi se duhet të jemi transparent. Një nga anëtarët e AmCham të pranishëm në seancë tha se heqja e taksave mund të sjellë edhe parregullsi në treg, në rastin e një biznesi të madh që mund të ndahet deri në 4 të vegjël që të mos paguajë detyrime.
Sa për ndryshimin e kërkesës për uljen e tvsh, drejt politikave subvencionuese, bizneset deklaruan se politikat e tilla si subvencione zgjasin ndaj dhe ulja e tvsh është kërkesa më e drejtë për to./MONITOR/


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )