Libohovë - Bizneset në bashkinë e Libohovës prej 6 vitesh nuk paguajnë asnjë taks ndaj bashkisë. Kjo ka bërë që në arkën e bashkisë së Libohovës të jenë minus 60 milionë lekë të rinj. Sipas kryetares aktuale këto janë shifra të akumuluara ndër vite.

Rreth 30 biznese të mëdha dhe të vogla rezultojnë debitorë në Bashkinë e Libohovës. Lajmi bëhet i ditur nga kryetarja e kësaj bashkie Luiza Mandi, e cila thotë se detyrimet e papaguara nga bizneset pranë kësaj bashkie kapin vlerën e 60 milionë lekëve të reja. Sipas saj borxhet janë akumuluar ndër vite pasi rezulton se këto biznese nuk kanë shlyer detyrimet e tyre që prej 2009-tës.

"Edhe pse është ndërmarrë një aksion tepër i madh prej qeverisë ata kanë likuiduar te tatim taksat, ndërsa përsa i përket detyrimeve që janë pranë kësaj bashkie nuk janë të likuiduara. Kemi të mbartura si borxhe të pa likuiduara afërsisht deri në 60 milionë lekë të reja", u shpreh Mandi.

Edhe pse është ndërmarrë një aksion i gjerë kontrollesh në të gjithë bizneset në Libohovë, kjo i detyroi ata të derdhnin detyrimet në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe jo në Bashkinë e Libohovës. Në Libohovë, operojnë 64 biznese prej të cilave 5 të mëdha dhe pjesa e ngelur hyjnë në kategorinë e biznesit të vogël.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)