Bizneset nga Maqedonia “zbarkojnë”
në Tiranë, kërkojnë tregje të reja

Bizneset nga Maqedonia “zbarkojnë”<br />në Tiranë, kërkojnë tregje të reja
Zyra Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri dhe Kosovë do të organizojë për herë të parë një tryezë ekonomike të nivelit të lartë me përfaqësues të biznesit të Maqedonisë dhe qeverisë shqiptare në datat 14-16 Mars 2016.

Ky aktivitet i pari i këtij lloji realizohet falë edhe bashkëpunimit të rëndësishëm që kanë dhënë Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unioni i Odave Ekonomike të Maqedonisë. Drejtuesit e dy Odave, si dhe një përfaqësi e 35 bizneseve më të rëndësishme në Maqedoni do të priten në takime për të promovuar potencialet e mëdha ekonomike mes Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë nga Kryeministri SH.T.Z. Edi Rama, Kryetari i Kuvendit SH.T.Z. Ilir Meta, Ministri i Financave Z. Arben Ahmetaj, Ministrja e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Znj. Milva Ekonomi, si edhe Ministri i Bujqësisë Z. Edmond Panariti, ai i Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri, si dhe zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës Z. Bahri Shaqiri. Pjesë e këtyre takimeve tepër të rëndësishme është edhe ai me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Z. Erion Veliaj.

Këto takime do të mbahen në datë 15 Mars. Qëllimi i tyre është ngritja në një nivel më të lartë e bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, si dy vende fqinje që synojnë të integrohen në një treg të madh dhe tejet konkurrues siç është ai i Bashkimit Europian. Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare Invest Macedonia – Shqipëri dhe Kosovë, në Ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, Z. Fatos Mustafa thotë se : “ Shqipëria dhe Maqedonia nuk duhet të sillen mes tyre si konkurrente sepse nuk janë të tilla. Ato janë plotësuese. Ky është një element kyç që i shërben ekonomisë së rajonit dhe frymës së bashkëpunimit. Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin në shkëmbimet tregtare, në industri, por edhe turizëm e më gjerë. Vetëm kështu mund të kontribuojmë, si dhe të krijojmë mundësi që bizneset e dy vendeve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të bëhen më konkurrente në tregje më të mëdha. Maqedonia mund të shërbejë për Shqipërinë si një model i mirë në lehtësimin e kushteve të të bërit biznes, në funksionimin e Zonave të Lira Ekonomike dhe Industriale e Teknologjike. Ndërsa biznesi nga Maqedonia, përmes Portit të Durrësit mund të bëhet akoma më konkurrues drejt tregjeve rajonale. Nuk është rastësi që Zyra jonë në bashkëpunim me Odën Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unionin e Odave Ekonomike të Maqedonisë organizon këtë event unik. Vetë përfaqësimi i lartë i shtetit shqiptar tregon se të dy qeveritë po angazhohen intensivisht në rritjen e marrëdhënieve ekonomike”.

Në ditën e dytë të këtij eventi (16 Mars) në bashkëpunim edhe me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë (nën kujdesin e projektit EEN) do të organizohet edicioni i tretë “Forumi i biznesit dhe investimeve Shqipëri-Maqedoni”. Delegacioni nga Maqedonia përbëhet nga anëtarë të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë, të cilat përfaqësojnë fushat më me potencial, si tregtia, infrastruktura, bujqësia, energjia, turizmi, manifaktura, agjenci imobiliare, etj. Në panelin e diskutimeve do të mbajnë fjalën përshëndetëse të radhës. Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë Znj.

Ines Muçostepa, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë në Republikën e Shqipërisë SH.T.Z. Stojan Karajanov, Ministrja e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Znj. Milva Ekonomi, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë SH.T.Z. Fatos Reka, Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Z. Nebi Hoxha, nënkryetari i Unionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë Z. Sead Koçan dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë Z. Nikolin Jaka. Më pas përfaqësuesit e bizneseve të dy vendeve do të zhvillojnë takime B2B me qëllimin krijimin e kontakteve si dhe shkëmbimin e përvojave, që nxisin rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve. “Misioni Ekonomik” do të vazhdojë në Durrës, ku do të pritet nga kryebashkiaku Z. Vangjush Dako, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës Z. Gazmend Shalsi, presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës Z. Andrea Xhavara si presidenti i BiznesAlbania Z. Luan Bregasi. Qëllimi i këtyre takimeve është shtrirja e bashkëpunimit në nivel më të gjerë, si dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim konkret mes bizneseve të dy vendeve. 

Redaksia online

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza

Hamas dhe Fatah, marrëveshje në Pekin për qeveri pajtimi! Angazhim pas luftës në gaza