TIRANË, 12 Shkurt / ATSH /- Një projekt pilot i zhvilluar nga Bashkia e Tiranës dhe i mbështetur nga Komisioni Europian u ka dhënë mundësi 160 të rinjve e të rejave të trajnohen në qendrat sociale të bashkisë së Tiranës.
Ky trajnim ka për qëllim aftësimin e tyre për të gjetur një vend pune dhe për të hapur bizneset e tyre sociale. Përfituesit e qendrave sociale do të trajnohen nga ekspertët italianë mbi temën "Si të krijosh një plan - biznesi social?".Sot këtyre të rinjve dhe te rejave u janë shpërndarë çertifikatat. I pranishëm në këtë aktivitet Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo u shpreh përveç të tjerash se 10 plan - bizneset më të mira do të mbështeten nga mekanizmat e Bashkisë së Tiranës për të hapur biznese sociale. "Sigurisht, ne e dimë fare mirë që trajnimet janë të nevojshme por nuk është kusht përfundimtar për të hyrë në tregun e punës" tha Bozdo.
"Kjo është arsyeja që ne sot gjithashtu deklarojmë që 10 biznes-planet më të mira sociale që do të prodhohen nga këta të rinj do të mbështeten nga projekti dhe dua të theksoj gjithashtu që jo vetëm do të mbështeten nga projekti, si plane iniciuese për biznesin social por me mekanizmat që Bashkia e Tiranës ka në dispozicion do të mbështetet gjithashtu edhe në jetën e tij si biznes" deklaroi Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo gjatë fjalës së rastit.
/k.m/ /a.g/







