Dhoma Amerikane e Tregtisë AmCham zhvilloi dje një tryezë diskutimi me drejtoren e Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa, me të cilën ndanë shqetësimet e tyre për situatën në vend, si dhe lidhur me aksionin e administratës tatimore në vend.

Kryetarja e Komitetit të Taksave dhe Ligjeve, anëtare e Bordit të Dhomës Amerikane, Alketa Uruçi, tha se “kontrolli në luftën kundër informalitetit duhet të jetë konstant dhe jo me aksione, që, në njëfarë mënyre, bëhen të dhunshme”.

Tjetër shqetësim i ngritur në emër të biznesit anëtar të AmCham-it, nga Uruçi ishte edhe trajnimi i inspektorëve tatimorë. “Nevojiten inspektorë të trajnuar profesionalisht, me ide të qarta se ku bëhet informalitet dhe për treguesit që duhen kontrolluar. Duhen zgjedhur inspektorët që duhet të kontrollojnë pranë një biznesi të caktuar, meqënëse natyra e biznesit është e ndryshme. Mund të jenë të gjithë biznese të mëdha, por duhen kontrolluar në mënyra të ndryshme e standarde të ndryshme, pasi informaliteti mund të jetë në aspekte të ndryshme”, deklaroi Uruçi. Fatkeqësisht, shtoi ajo, ka inspektorë që rrijnë 2-3 muaj, kontrollojnë çdo gjë vijnë vërdallë nëpër dokumenta, kapin mospërputhje sipas atyre, pastaj kthehen duke deklaruar se ishin në rregull.

Shqetësimi i dytë i ngritur nga binzesi ishte kontrolli nga zyra. Sipas Uruçit, për ato duhet të përcaktohet një praktikë e veçantë. “Kontrollet nga zyra që përfundojnë me një akt rivlerësimi t’i bëhen paraprakisht të njohura tatimpaguesit, në mënyrë që çfarëdolloj paqartësie, keqkuptimi apo mungese të sqarohet në nivelin e drejtorive rajonale dhe të mos ketë nevojë që tatimpaguesi të marrë një njoftim vlerësimi dhe të shkojë në drejtorinë e Apelimit Tatimor”, shtoi Uruçi. Kjo sipas saj, shkurton procedurat burokratike, qoftë në drejtorinë e Apelimit, apo vonë në Apelimin Tatimor. 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com