Biznesi i gjakosur shqipta

Biznesi i gjakosur shqipta
26 qershori do të mbahet mend si një ditë e trishtueshme për ata që duan të lëvizin gjërat për mirë në Shqipëri. Për të gjithë ata sipërmarrës që besojnë në dobinë shoqërore të sipërmarrjes, në magjinë e hapjes dhe sigurimit të qindrave vendeve të punës, për të realizuar një pasion dhe një ëndërr të bukur. Artan Santo ishte njeri prej tyre. Mund të konsiderohet pa e tepruar ndër sipërmarrësit më të suksesshëm të këtij vendi. Ishte themeluesi, drejtuesi dhe ndër pronarët e bankës më të madhe private me kapital shqiptar, kryevepra e sipërmarrjes së tij. Ishte prezantuesi në Shqipëri i shumë shërbimeve inovative bankare digjitale.

Gjenia e tij menaxheriale krijoi praktikisht nga hiçi mbi 680 vende të punës në tregun bankar, stafin e njërës ndër katër bankat më të mëdha private tek ne. Njeri vizionar, punëtor i palodhur i shërbimeve bankare në vend, piktor sa dhe poet i talentuar. Santo ishte shndërruar në një etalon të sipërmarrësit të suksesshëm shqiptar, që vinte nga plejada e të diplomuarve dhe ekspertëve të fushës se tij, pra nga shtresa e intelektualëve shqiptarë. Natyrë e hapur dhe bashkëpunuese, sa njerëzor aq dhe komunikues, ai përfaqësonte vlerat më të spikatura të biznesit shqiptar. Santo nuk kishte armik personal, pse i tillë njeri ishte. Ai u ekzekutua për llogari të qarta mafioze, që kanë të bëjnë me bizneset me të cilat merrej.

E gjithë klasa sipërmarrëse shqiptare këto ditë është e plagosur dhe e gjakosur. Krahas stepjes dhe tronditjes së mbarë opinionit publik dhe shoqërisë shqiptare. Janë me qindra e mijëra biznesmenë shqiptarë që sot ndihen më të pasigurtë se kurrë. Mënyra se si Santo u vra në orën 9 e 30 minuta në mes të ditës, kur po shkonte në punë, se si të dy vrasësit arritën mbi një motorr të largoheshin nga zona e Bllokut në qendër të Tiranës, deri në afërsi të Fushë-Krujës, është një akt-akuzë e fortë për të shkundur policinë tonë. Për të kërkuar me forcë që ajo të rinovojë dhe trajtojë profesionalisht mjetet e saj, që policit të vetëm të qarkullimit rrugor që u vu në ndjekje të të dy vrasësve(çudi, nëpërmjet komunikimit me radio, si nuk e mbështetën atë me dhjetra e dhjetra policë të tjerë të motorrizuar në Tiranë?!) të mos i shpërthente vaji dhe t’i bllokonte motorrin.

Vrasja e Santos është mafioze, e porositur më parë, e kryer nga profesionistë që mund të arrijnë edhe të largohen nga vendi. Nëse kjo vrasje nuk zbardhet shpejt dhe të gjenden jo vetëm ata që e kryen, por edhe vrasësit e vërtetë, ata që e porositën, atëhere 26 qershori 2014 do të ngelet një njollë e zezë për sigurinë e jetës dhe të të bërit biznes në Shqipëri. Gjithnjë mbi sipërmarrësit e pastër dhe kurajozë shqiptarë do të qëndrojë e ngritur lart, si Shpata e Damokleut, mundësia e hakmarrjes ose eliminimit nga konkurrenca e pandershme.

Vrasje sipërmarrësish bëhen rëndom dhe ndodhin shpesh në të gjithë botën e qytetëruar, në shtetet e Bashkimit Evropian që duam t’u bashkohemi. Por eliminimi i sipërmarrësit në vendin më të populluar dhe konkretisht që konsiderohet më i sigurtë në Tiranë, pra zona e Bllokut, në mes të ditës është shumë i rëndë. Asnjë nga hetuesit dhe drejtuesit e policisë së Shtetit nuk duhet ta bëjë gjumin e qetë pas vrasjes së Artan Santos, nëse nuk kapen autorët materialë dhe nuk identifikohen porositësit, vrasësit realë.

Policia e Shtetit shkëlqeu me veprimet e saj në Lazarat. Por tani si ajo, edhe hetuesia e Prokuroria e Shtetit, kanë përpara një sfidë madhore. Zbardhjen e vrasjes më të rëndë, e atentatit më të egër ndaj sipërmarrjes së ndershme e të suksesshme të vendit. Policia dhe e gjithë Qeveria dhe Shteti duhet ta ndihmojnë në këtë ditë të vështirë biznesin e gjakosur shqiptar. Duke e mirëkuptuar atë, duke shtuar masat mbikqyrëse dhe mbrojtjen ndaj sipërmarrësve seriozë shqiptarë, që mund të kenë marrë kërcënime e të ndihen të rrezikuar. Sipërmarrja e pastër shqiptare është ndër pasuritë më të mëdha të këtij vendi. Ajo nuk mund të lihet keshtu si është sot, e shkelur, e nëpërkëmbur dhe e përgjakur.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur