Konfindustria ka shprehur dje shqetësimin e saj për uljen 48% në vlerë neto të investimeve të huaja në Shqipëri në 3-mujorin e dytë 2014 ndaj një viti më parë. Sipas saj, ndër shkaqet kryesore të kësaj janë pasojat e zbatimit të paketës fiskale, që ka hyrë në fuqi në fillimin e vitit 2014, të tilla si rritja e tatim fitimit për biznesin në masën 50%, duke arritur në nivelin 15%, kur të gjitha vendet e tjera të rajonit e kanë 9%-10%. Edhe paqëndrueshmëria e politikave fiskale vlerësohet si shkak i mosafrimit të investitorëve të huaj dhe të vendit në ekonominë shqiptare. Konfindustria i ka kërkuar Kuvendit rivendosjen e taksës së sheshtë 10% për të gjitha bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura dhe me konkurencë të lirë.