‘Biznesmenit’ i bëhet ‘gjyqi’ në Teatër! Gëzim Kame e Viktor Zhusti ‘mbledhin’ në tryezë figura të drejtësisë në pension. Artistët rrëfejnë shfaqjen

Gëzim Kame "merr fjalën" në Teatrin Kombëtar, në rolin e regjisorit. 'Biznesmeni' vjen mes dramës e komedisë. Mizasena që shpaloset para publikut, të krijon ndjesinë e një ‘darke të fundit’, ndërsa në sfond zhvillohet Festa Ballkanike e Karnavaleve. Bashkim Zahaj ka ngritur një vilë ku banorët janë pensionistë, ish-njerëz të drejtësisë, gjyqtar, prokuror e avokat.  Një “Biznesmen” mbërrin në qytezë dhe hotelet janë të tejmbushur ndaj do të marrë tek ta, një dhomë me qera. Por huqi i vjetër i zanatit, bën që çdo vizitori ‘t’i bëjnë ‘gjyqin’ ‘ në formë loje..

Viktor Zhusti vjen në këtë premierë në rol të dyfishtë, si aktor e dramaturg.  Për pjesën është inspiruar novela e zviceranit Friedrich Dürrenmatt, por e përshtat atë me realitetin vendas.

“Është inspiruar nga novela, si të thuash është gjetur një mumie dhe duke studiuar ADN-në, është veshur me dramat, me monologët, me marrëdhëniet , me psikologjinë, me botën, me rrethanat, me gjithçka shqiptare...”, thotë Viktor Zhusti, aktor  e dramaturg në shfaqje.

Aktori Gent Kame është në petkat e “Biznesmenit”, që vjen i rrëfyer si produkt por edhe viktimë e një sistemi jo të drejtë.

“Si fillim është produkt i këtij sistemime mangësitë e këtij sistemi, kështu që bëhet gjithashtu viktimë e po të njëjtit sistem. Një sistem pa rregulla, një sistem me shumë keqkuptime, krijon edhe njerëz të tillë. Njerëz gjithsesi që mund të jenë edhe shumë të ndershëm, që kanë filluar me shumë guxim rrugën e jetës pas viteve ’90, por që diku ata kanë devijuar sepse sistemi është i tillë sistemi”,  shprehet aktori Genti Kame.

Kjo ngjarje mund të ndodhte kudo, por tryeza e drejtësisë së improvizuar është shumë e ngjashme me atë që ndodh në Shqipëri.

“Thuhet në një moment gjatë pjesës që këta kanë dalë në pension, tashmë nuk janë më njerëz që merren me drejtësinë nga ana manuale, nga ana pedagogjike, por nga ana njerëzore, nga ana e moralit dhe ky është edhe gjykimi më adekuat që mund të bëhet edhe në jetën e përditshme.”, shton më tej Kame.

Në tryezë ‘Biznesmeni’ përballet jo thjesht me pyetjet e profesionistëve të drejtësisë në pension, por me vetveten. Rrugëtimi që ka bërë për t’u ngritur në biznes është plot dritëhije dhe ‘kutia e pandorës’ nis e hapet.

“Sa i përket biznesmenit , ideja është që  gjithsecili të shikojë brenda vetes, rrugën që ka bërë, si e ka bërë atë rrugë, çka lënë pas edhe çka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe. Kjo, sepse vjen një moment që diçka që t’i e ke harruar, e ke mbyllur, dikush, një ngjarje, një personazh, një moment, një problem gjyqësor ose dhe vetë ndërgjegjja jonë do fillojë të na trokasë. Dhe këtu fillon drama. Është kjo drama e Biznesmenit”, thotë Zhusti.

Kame bën bashkë aktor të tri brezave, si  Ahmet Pasha, Myzafer Zifla, Gert Ferra, Niada Saliasi e Igli Zarka. Genti rrëfen punën me të atin e artistët e tjerë në këtë ngjarje të veçantë të teatrit.

“Është ngjarje e veçantë, për mua është edhe ngjarje familjare. Duke qenë i biri qëndron problemi nëse ajo që thotë është e sinqertë, por Gëzimi është profesionist i tillë, jashtëzakonisht i rreptë që i besoj kur bënë komplimenta por edhe vërejtje.Shpresoj të kem ndjekur këshillat e tij",-thotë ai. 

Aktorët arrijnë të  bëjnë për vete publikun. Ata befasohen, qeshin, tronditen... dhe në fund të duartrokasin vënien.

K.M/A.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?



×

Lajmi i fundit

Rey Manaj shkruan emrin në listën e legjendave të Sivasspor

Rey Manaj shkruan emrin në listën e legjendave të Sivasspor