Në Qendrën Kulturore Lasgush Poradeci, u ngjit në skenë monodrama “Andrra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”, një produksion artistik kushtuar figurës së shenjtores.

Shfaqja u interpretua nga aktorja Justina Aliaj, ndërsa regjia mban emrin e të mirenjohurit Gëzim Kame. Përmes një rrëfimi të ndjerë skenik, publiku u njoh me dimensionin njerëzor dhe shpirtëror të Nënë Terezës, të sjellë me intensitet dhe përqendrim të lartë artistik.

Aktorja Justina Aliaj e cilësoi këtë rol si një nga më të rëndësishmit dhe më sfiduesit e karrierës së saj, duke theksuar kompleksitetin që mbart personifikimi i një figure kaq të madhe botërore.

“Është shumë e vështirë, është përgjegjësi e madhe. Sidomos kur je në monodramë, nuk ke asnjë ndihmë, vetëm personazhe imagjinare që mundohesh t’i jetësosh. Është në të njëjtën kohë, roli më i madh për mua dhe nderimi më i madh që mund të kem. Emocionet sa vijnë e shtohen, më thahet goja, nuk e jap veten. Mundohem të ligjëroj sikur s’kam asgjë, por unë jam në një tension të jashtëzakonshëm nga fillimi deri në fund”, tha aktorja.

Nga ana tjetër, regjisori Gëzim Kame vuri në dukje vështirësinë që paraqet monodrama si formë artistike, pasi kërkon mbajtjen e vëmendjes së publikut vetëm përmes një aktori të vetëm në skenë. Ai theksoi se kjo sfidë u përballua me sukses, falë interpretimit të arrirë të aktores, ndërsa shtoi se ndërtimi i skenarit ka qenë rezultat i një pune të gjatë kërkimore mbi jetën dhe veprën e shenjtores.

“Monodramat përgjithësisht janë shumë të vështira sepse ke të bësh me një aktor, një tekst të plotë. Kjo është eksperienca ime e dytë pas ‘Apologji Sokratit’ me Mirush Kabashin. Kam të bëj me dy aktorë jo shumë të mëdhenj. Jo çdo aktor mund ta përballojë monodramën, aq më tepër kur janë filozofike dhe me mesazhe të mëdha. Justina, me pasionin e saj të jashtëzakonshëm, një vullnet të çuditshëm, arriti në një kohë të shkrtër të ndërtojë një monodramë dhe të përfaqësojë një nga figurat më të mëdha, botërore që është Nënë Tereza. Ishte një punë prej shumë kohësh me Bashkim Kozelin ku ka bashkëpunuar edhe Justina. Kisha një detyrim prej artisti për të dhënë një mesazh për një figurë kaq të madhe që ne e kemi pas Skënderbeut, nuk ka figurë më të njohur në botë që ndihesh krenar që je shqiptar”, tha regjisori.

Sipas organizatorëve, monodrama pritet të vijojë rrugëtimin e saj artistik edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.