Të paktën 22 të burgosur politikë në Bjellorusi raportohet se po mbahen në institucione psikiatrike, ku u nënshtrohen trajtimit të detyrueshëm, në atë që organizatat për të drejtat e njeriut e cilësojnë si ringjallje të psikiatrisë ndëshkuese të përdorur në ish-Bashkimin Sovjetik.

Sipas aktivistëve, kjo praktikë përdoret ndaj personave të akuzuar për vepra që lidhen me kundërshtimin e autoriteteve, përfshirë fyerjen e zyrtarëve shtetërorë, veprimtarinë e cilësuar si ekstremiste apo heqjen e flamujve shtetërorë.

Ndryshe nga burgimi i zakonshëm, trajtimi i detyrueshëm psikiatrik nuk ka një afat të përcaktuar përfundimi. Lirimi varet nga vlerësimi i mjekëve dhe më pas nga një vendim gjykate.

Ish-mjeku dhe psikiatri Vasyl Zavadski ka theksuar se nisma për dërgimin e të burgosurve politikë në trajtim të detyrueshëm psikiatrik nuk vjen nga mjekët, por nga strukturat e sigurisë.

"Kjo nuk është një nismë mjekësore për t'i dërguar ata në trajtim, por një nismë e njerëzve me uniformë: policëve, hetuesve, prokurorëve dhe oficerëve të KGB-së.”- u shpreh Zavadski.

Mes rasteve të dokumentuara është edhe Maria Uspenskaya, e veja e një personi të vrarë gjatë një operacioni të KGB-së në Minsk në vitin 2021. Ajo u dënua me trajtim të detyrueshëm psikiatrik dhe, sipas organizatës Viasna, vijon të mbahet në një institucion të shëndetit mendor në kryeqytet.

Ish-të burgosur politikë kanë denoncuar gjithashtu kushte të rënda në institucionet psikiatrike, duke i krahasuar ato me burgjet, madje edhe më të këqija.

Organizatat për të drejtat e njeriut theksojnë se nuk njohin asnjë të burgosur politik që të jetë liruar nga trajtimi i detyrueshëm psikiatrik që prej vitit 2020, duke ngritur shqetësime për përdorimin e sistemit shëndetësor si mjet represioni ndaj kundërshtarëve të regjimit të Aleksandr Lukashenkos.