Bjellorusia ka filluar të marrë një sërë masash për planifikimin dhe ushtrimin e sulmeve me armë bërthamore. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin, raporton Tass.
“Sot morëm urdhrin nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Bjellorusisë, Presidenti Alexander Lukashenko, për të kryer një inspektim të befasishëm të forcave dhe mjeteve të transportuesve të armëve bërthamore jostrategjike”, thuhet në një deklaratë për shtyp nga Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë.
Një divizion i kompleksit taktik-operativ Iskander dhe një skuadrilje avionësh Su-25 po përgatiten për të kryer misionet e planifikuara, shton Tass.
Ndërkohë që Khrenin tha se gjatë inspektimit "do të kontrollohet e gjithë gama e aktiviteteve, nga planifikimi, përgatitja dhe përdorimi i sulmeve me armë bërthamore taktike".
Presidenti rus Vladimir Putin, vazhdon agjencia ruse, ka njoftuar më 25 mars 2023 se Moska, me kërkesë të Minskut, do të vendosë armët e saj taktike bërthamore në Bjellorusi, të ngjashme me atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë prej disa kohësh në territorin e aleatëve të tyre. Moska dorëzoi sistemin raketor Iskander në Minsk, i cili mund të mbajë armë bërthamore dhe ndihmoi në ripajisjen e avionëve bjellorusë në mënyrë që ata të mund të transportonin municione speciale.
Shkencëtarët dhe pilotët bjellorusë iu nënshtruan trajnimit në Rusi. Më 16 qershor të vitit të kaluar, Putin tha se kokat e para bërthamore ruse ishin dorëzuar në Bjellorusi dhe se e gjithë grupi do të arrinte deri në fund të vitit 2023.
Ndërsa në fund të prillit 2024, Lukashenko njoftoi se Rusia kishte vendosur disa dhjetëra armë bërthamore në Bjellorusi.
Lajmi kryesor: