Një grup shqiptarësh kanë terrorizuar banorët e Fuente el Saz në Madrid teksa mbrëmjen e së shtunës tentuan të grabisnin një argjendari.

Banorët kanë filmuar të gjithë ngjarjen teksa personat, të cilët komunikonin në gjuhën shqipe midis tyre, kanë goditur qepenin e dyqanit me çekiç e më pas kanë përdorur automjetin për ta lëvizur nga vendi.

Disa prej banorëve gjithashtu hodhën sende të forta në drejtim të tyre ndërsa ata iu përgjigjën duke u hedhur gurë. Pas disa minutash, grupi i shqiptarëve u larguan nga vendi i ngjarjes pasi vunë re prezencën e një automjeti policie duke mos arritur të hynin brenda në argjendari.

Incidenti ka ngjallur shqetësim tek banorët, të cilët kanë frikë nga hakmarrjet e mundshme dhe denoncojnë mungesën e pranisë së policisë gjatë kohërave të caktuara të ditës.