Me shpërthimin e valëve të protestave në Francë, Spanjë dhe shumicën e Europës Perëndimore, si rrjedhojë pandemisë së pakënaqësive sociale në rritje, Flamingot shqiptare kanë rifituar një lloj entuziazmi të ri. Kjo, jo vetëm për shkak të përmasave të këtyre protestave, por edhe agresivitetit të tyre.

Argumenti kryesor i tyre nis me dhunën. Nëse protestuesit në Francë apo Belgjikë përplasen dhunshëm me policinë dhe djegin kazanë apo thyejnë xhamat e përfaqësive të disa korporatave të mëdha globale, atëherë përse tek ne, disa vezë dhe shishe uji të hedhura kundër policëve apo deputetëve, mjaftojnë për të t’u dënuar nga shumica e njerëzve? Pjesa tjetër lidhet me ankesën e tyre ndaj mungesës së solidaritetit. Në Francë e Spanjë, njerëzit shfaqen të gatshëm t’iu bashkohen protestuesve, ndërsa shqiptarët gjithnjë e më tepër po distancohen nga Flamingot.

Të dy vëzhgimet harrojnë ose nuk duan të shohin atë që është pjesa më interesante.

E para, protestat veçanërisht të francezëve, nuk kanë nisur as në 2026 e as në 2018, por në 1968. Maji i 1968-ës është një lloj miti themelues i kulturës bashkëkohore të revoltave studentore dhe mobilizimit masiv. Shumica e çështjeve për të cilat protestohet, natyrisht kanë ndryshuar, por tensioni është i ngjashëm me atë të asaj kohe. Teksa rritja ekonomika është ngadalësuar dhe presioni financiar është shtuar, qeveritë e njëpasnjëshme e kanë patur të vështirë të mbështesin politikat e gjera sociale që shumica e francezëve i konsiderojnë si pjesë themelore të marrëveshjes së tyre politike me shtetin. Në protestat e sotme, mjafton të dëgjosh çfarë thonë studentët dhe nxënësit e gjimanzeve dhe sheh se si shpjegohen me hollësi të admirueshme të gjitha problemet konkrete që ata kërkojnë që t’u zgjidhen.

Spanja përballet me probleme të ngjashme, por në lidhje me strehimin. Rasti i saj është ndoshta më i ngjashmi me Flamingot, pasi edhe aty, një episode konkret – nxjerrja nga shtëpia e 87-vjeçares Maricarmen Abascal pas rritjes së qirasë – shërbeu si shkëndijë për të nxjerrë dhjetëra mijëra njerëz në rrugë. Ky episod dhe refuzimi i parlamentit për të miratuar masa kundër rritjes arbitrare të qirave dhe nxjerrjes së njerëzve nga shtëpitë nëse nuk i paguajnë dot ato, e detyruan kryeministrin të shpallte zgjedhje të parakohëshme për të rifituar besimin e popullit të tij.

Pra, mjafton të dëgjosh njerëzit në secilin prej këtyre vendeve, por edhe në shtete të tjera si Belgjika apo edhe Turqia në momentin që iu afrohet  mikrofoni i një mediaje dhe sheh nuk ka asnjë atmosferë misteri rreth asaj se kush janë dhe çfarë kërkojnë. Ata flasin për klasa të mbingarkuara, mungesë mësuesish dhe qira të papërballueshme. Nuk kanë nevojë për podiume ku të mbajnë fjalime të mbushura me tradhëtarë, heronj dhe lloj-lloj teorish se vendi po zhbëhet nga forca të padukshme, që edhe vetë nuk dinë ç’emër t’iu vënë. Ky lloj i dytë protestash, në fakt i përket atij grupit tjetër që marshojnë në rrugë me maska e kapuçë, për të rrahur këdo që nuk i sheh gjërat ashtu si ata. Çuditërisht, protestuesit tanë po u ngjajnë dita-ditës këtij grupi të dytë.

Për më tepër, me Flamingot, sa më shumë kalon koha, aq më e vështirë bëhet ta kuptosh objektivin e tyre politik.

Shqetësimi fillestar rreth privatizimit të publikes dhe mënyrë së pabarabartë se si shteti trajton ata që kanë dhe ata që nuk kanë, ia la vendin brenda pak javësh nacionalizmit bajat dhe teorive konspirative. Aq sa, suksesi i tyre më i madh këto pesë muaj është aftësia për të gjetur se kush duhet përndjekur publikisht në rrugë, por asnjë fjalë më se çfarë legjislacioni duan të kalojë apo të anulohet.

E dyta, është befasia e tyre me refuzimin e gjithnjë e më të madh të shoqërisë për t’u solidarizuar me ta.

Tani, solidariteti nuk është diçka që iu kërkohet njerëzve me detyrim sepse Flamingot e shohin veten superiorë moralisht, vetëm e vetëm sepse kanë pesë muaj në bulevard. Lapaj ndenji pak a shumë po aq ditë para Kryeministrisë, duke u zbythur një herë në javë se duhej t’i lironte vendin Berishës, dhe nuk i vajti njeri për ta mbështetur. Sfidat fizike vlejnë në atletikë, por nuk kanë ndonjë lidhje me politikën. Njerëzit nuk solidarizohen sepse je i fortë fizikisht dhe mund të ecësh kilometra të tëra pa u lodhur, madje është e vështirë t’i bësh të bashkohen edhe vetëm me një kauzë të fortë politike. Njerëzit solidarizohen mbi të gjitha kur shohin në rrugë të ngjashmit e tyre, të tjerë njerëz të së njëjtës klasë sociale, miq, komshinj, etj, për të cilët gëzojnë dhe njëfarë respekti personal.

Flamingot, nga ana tjetër, kanë një qasje të çuditshme ndaj solidaritetit. Kur njerëzit nuk i mbështesin më, i quajnë patronazhistë dhe sufllaqexhinj, të paaaftë për të kuptuar rëndësinë historike të asaj që po ndodh. E vetmja gjë që nuk iu shkon nëpër mend është se mund të jetë vetë protesta që nuk i bind më njerëzit.

Para se të ankohen vazhdimisht se përse shqiptarët nuk janë si francezët, spanjollët, apo belgët, intelektualët në gjirin e Flamingove do bënin mirë të pyesnin veten se përse edhe pas pesë muajsh nuk arrijnë t’i artikulojnë problemet e tyre aq qartësisht sa gjimnazistët francezë./ Tema