Ka nisur seanca plenare, ndërkohë, qytetarët dhe Partia Demokratike po mbajnë protesta jashtë parlamentit në kundërshtim për reformën territoriale.
Pavarësisht këtij qëllimi në dukje të përbashkët, ‘kampet’ vijojnë të jenë të ndara.
Protestuesit e PD janë nisur nga selia dhe ndodhen pranë Xhamisë së Namzgjasë, ndërsa flamingot ndodhen përpara parlamentit. Mes tyre janë edhe banorë të bashkive të tjera që refuzojnë shkrirjen prej ndarjes së re territoriale.
Ndryshojnë edhe thirrjet. Militantët e Berishës kanë huazuar sloganin e flamingove, por me një modifikim: “Rama n’burg, Belinda n’burg.” Motoja origjinale e protestuesve të Revolucionit Flamingo, siç dihet është “Rama n’burg, Berisha n’burg.”
Policia ka ngritur një perimetër sigurie përreth parlamentit. Nga Xhamia e Namazgjasë e deri te Ministria e Brendshme janë vendosur efektivë të shumtë, automjete policie, gardhe metalike si dhe autobotë.
Lajm në përditësim...
Protestuesit e mbledhur në selinë e Partisë Demokratike janë nisur drejt parlamentit. Ndryshe nga ç’tha Sali Berisha se do të jetë një nga protestat më të fuqishme, numri i pjesëmarrësve është i ulët.
Slogani i tyre është “Rama n’burg, Belinda n’burg”, një version i ndryshuar i thirrjes që flamingot bëjnë prej muajsh, “Rama n’burg, Berisha n’burg.”
Efektivë të shumtë dhe automjete policie kanë bllokuar hyrjen e parlamentit. Pranë ndodhet edhe një autobot, në gatishmëri për neutralizimin e protestuesve.
Kuvendi do të nisë pas pak dhe policia ka marrë masat në terren për shkak të protestës së paralajmëruar. Përveç flamingove, edhe PD ka lajmëruar se do të kundërshtojë brenda e jashtë Kuvendit votimin e reformës së re territoriale që e redukton numrin e bashkive nga 61 në 46.
Efektivët e policisë janë pozicionuar te Xhamia e Namazgjasë deri te Ministria e Brendshme, por rruga nuk është bllokuar momentalisht.








Komente
Komento