Teksa dilte nga zyrat e Prokurorisë së Posaçme, ku u paraqit sot si pjesë e masës së sigurisë ndaj tij, Sali Berisha rishfaqi të njëjtën linjë politike, me akuzat e njohura tashmë se SPAK “është një degë e Partisë Socialiste”, ndërsa etiketoi prokuorin Altin Dumani si “armikun kryesor të pluralizmit politik” në vend.

Nuk është se kishte ndonjë të re në fjalimin e tij dhe nuk do kishte gjë për t’u analizuar, sikur të mos ekzistonte një paradoks mes qëndrimit akuzues të tij jashtë SPAK-ut dhe mbështetjes së partisë së tij ndaj kërkesës së magjistratëve për rritjen e pagave.

Javën e kaluar, me përjashtim të Berishës që mungoi, 24 deputetë të PD-së votuan kundër propozimit të mazhorancës për pagat e magjistratëve, duke argumentuar se qeveria duhet t’i bindet vendimit të Kushtetueses.

Edhe pse kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se PD po bën fushatë pro kërkesës së magjistratëve, një sjellje e tillë e detyron Berishën të japë disa shpjegime, pasi nuk ka kuptim që ta sulmojë drejtësinë kur atij vetë i duhet të raportojë në SPAK, ndërkohë që pasdite partia e tij lavdëron autoritetin e drejtësisë së posaçme kundër qeverisë.

Nëse njerëzit supozohet të besojnë akuzat e tij kundër drejtësisë, atëherë ata meritojnë një shpjegim për qëndrimin e partisë ndaj saj.

Deri tani, PD duket se pret që mbështetësit e saj ta mbushin këtë boshllëk logjik duke përdorur imagjinatën. Jashtë dyerve të SPAK-ut, duhet t’i urrejnë prokurorët që po ju persekutojnë kryetarin, ndërsa kur nis debati për pagat, duhet të zemërohen për ‘padrejtësinë’ që po i bëhet prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Kjo, ose është mazokizëm politik, ose nevoja për mundësi të reja sulmi ndaj qeverisë është aq e fortë, sa PD-ja është gati të bëhet sindikatë edhe e atyre që i akuzon se paguhen prej saj (qeverisë) për ta persekutuar.

Statusi i prokurorëve ndryshon në varësi të personit me të cilin ata përballen. Kur përballë kanë Berishën, janë ‘argatë të bindur të pushtetit.’

Kur përballen me qeverinë, përbëjnë një autoritet institucional, kërkesat e të cilit duhen respektuar me çdo kusht. Por kjo është veçanërisht ofenduese për atë grusht militantësh që i marrin seriozisht akuzat e Berishës ndaj drejtësisë.

Ata janë nxitur t’i shohin problemet e tij ligjore si dëshmi të një sistemi politik tërësisht të kapur, ku drejtësia është thjesht e pamundur. Nga ana tjetër, partia e tyre mund ta shpërfillë të gjithë këtë kur një debat për pagat i jep asaj një tjetër mundësi për të sulmuar qeverinë.

Me gjithë traditën bujare të inkosistencës së politikës shqiptare, të kuptosh logjikën e një sjelljeje të tillë, është sfilitëse.

Çfarë supozohet të mendojnë mbështetësit e PD-së në këtë rast? Që pretendimi se po persekutohen ka qenë i ekzagjeruar?

Se drejtësia nuk është aq e nënshtruar sa ju kishin thënë deri tani? Apo se e gjithë kjo nuk ka nevojë të ketë sens logjik, sa kohë iu paraqet një mundësi për të sulmuar qeverinë, edhe nëse nuk besojnë as vetë në atë që thonë dhe bëjnë?

I marrë krahas akuzave të vetë Berishës, mesazhi i partisë për ndjekësit e saj tingëllon edhe më absurd.

Sipas tij, Rama kontrollon prokurorët, të cilët persekutojnë Berishën, ndërsa opozita kërkon që ‘persekutorët’ e saj të paguhen më shumë. Të fituarit e mëdhenj në këtë mes i bie të jenë persekutorët e supzouar të cilët, sipas PD-së, gëzojnë mbrojtjen e qeverisë dhe mbështetjen e opozitës si sindikatë që iu negocion pagën.