Një ndërprerje masive e energjisë elektrike ka goditur të gjithë Spanjën kontinentale, Portugalinë dhe pjesë të jugut të Francës rreth orës 12:30 të ditës së sotme.
Situata ka nisur të përmirësohet ngadalë gjatë ditës, por deri në orën 20:00, furnizimi me energji elektrike ishte rikthyer vetëm në 20% të Spanjës kontinentale.
Arsyet e ndërprerjes më të rëndë të energjisë në historinë e fundit të Spanjës nuk janë ende të qarta, sipas asaj që deklaroi kryeministri spanjoll Pedro Sánchez në një fjalim drejtuar kombit. «Nuk mund të përjashtohet asnjë hipotezë», tha ai, duke u kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet:
«Orët në vijim do të jenë kritike».
Shkaku i menjëhershëm i ngjarjes duket të jetë një luhatje e fortë në rrjedhën e energjisë në rrjet, por ende nuk dihet qartë se çfarë e ka shkaktuar atë.
Sipas operatorit portugez të rrjetit REN, i cituar nga agjencia Reuters, shkaku do të lidhej me një fenomen atmosferik të rrallë: për shkak të ndryshimeve ekstreme të temperaturës në zonat e brendshme të Spanjës, ndodhën luhatje anormale në linjat e tensionit të lartë, një fenomen i njohur si «dridhje atmosferike e induktuar».
Aktualisht, burime zyrtare spanjolle, portugeze dhe të Bashkimit Evropian bëjnë të ditur se nuk ka asnjë tregues që të sugjerojë një sulm kibernetik: «Nuk ka asnjë indikacion se ndërprerja është shkaktuar nga një akt qëllimshëm», tha zëvendëspresidentja spanjolle e Komisionit Evropian, Teresa Ribera.
Red Eléctrica deklaroi se mund të duhen «6-10 orë» për rikthimin e plotë të situatës në normalitet, ndërsa operatori portugez paralajmëroi se, për shkak të kompleksitetit të fenomenit dhe nevojës për të balancuar rrjedhën ndërkombëtare të energjisë elektrike, rikuperimi i plotë mund të zgjasë deri në një javë.
Paraliza dhe kaosi në transport dhe komunikim
Pasojat e ndërprerjes ishin të menjëhershme dhe shumë të rënda.
Linjat telefonike fikën në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë; qeveritë respektive bënë thirrje për përdorimin «me përgjegjësi» të telefonisë celulare (e cila mbeti funksionale), duke këshilluar «telefonata të shkurtra dhe vetëm në raste të domosdoshme».
Sistemi hekurudhor u paralizua, me rrjetin hekurudhor kombëtar spanjoll që njoftoi ndalimin e të gjithë trenave në stacione dhe anulimin e të gjitha nisjeve.
Ndërprerje u regjistruan edhe në disa aeroporte, si Barajas në Madrid dhe ai i Lisbonës në Portugali; metrotë, nga Barcelona në kryeqytetin spanjoll, u ndalën.
Edhe trafiku rrugor në Madrid u fut në kaos; probleme të mëdha u raportuan në të gjitha qytetet kryesore, nga Sevilla në Barcelonë, nga Valencia në Pamplona.
Autoriteti spanjoll i trafikut bëri thirrje që qytetarët të mos përdornin makinat përveçse në raste të domosdoshme, thirrje që u përsërit edhe nga kryeministri Sánchez.
Personat e bllokuar në tunele dhe ashensorë, kërkesa për ndërhyrjen e ushtrisë
Ministria e Brendshme e Spanjës krijoi një ekip krizash me prioritet evakuimin e personave të bllokuar në metrotë dhe trenat (shumë prej tyre në tunele) dhe në ashensorët e ndërtesave publike e private.
Spitalet e Komunitetit të Madridit raportuan se po vazhdojnë aktivitetin falë gjeneratorëve elektrikë: «Vetëm aty ku është e nevojshme, aktivitetet rutinë janë pezulluar».
Kryetari i bashkisë së Madridit, José Luis Almeida, lëshoi një apel: «Ky është një mesazh për të gjithë madrilenët që ndodhen në rrugë: ju lutem, kthehuni sa më shpejt dhe me kujdes në shtëpitë tuaja. Furnizimi me ndriçim publik nuk është i garantuar në shumicën e qytetit».
Pesë centralet bërthamore të Spanjës ndaluan prodhimin e energjisë, për arsye sigurie: ato po përdorin gjeneratorë për të mbajtur funksionale sistemet e brendshme të sigurisë.
Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, i kërkoi kryeministrit Sánchez aktivizimin e nivelit të emergjencës 3, «që ushtria të mund të ruajë rendin publik, nëse do të jetë e nevojshme».
Edhe turneu Masters 1000 i Madridit u prek nga ndërprerja: ndeshjet e para, përfshirë atë të italianit Matteo Arnaldi, u ndërprenë dhe më vonë u anulua e gjithë dita e garave.
Inxhinieri italian në Lisbonë, Raffaele Foschini, tregoi për gazetën "Corriere della Sera" se në qytet semaforët ishin fikur, dyert me kombinim të ndërtesave ishin bllokuar, bankomatët ishin jashtë funksionit: «E vetmja gjë që ende funksionon janë celularët – derisa të mbarojnë bateritë», tha ai.
Rikthimi i ngadaltë i energjisë në Spanjë, Portugali dhe Francë
Rreth orës 13:40, operatori spanjoll Red Eléctrica njoftoi se kishte nisur rikthimin e energjisë duke filluar nga veriu dhe jugu i gadishullit Iberik.
Në Sevilla, kur dritat u rikthyen në orën 15:56, qyteti shpërtheu në duartrokitje (edhe pse rrjeti celular vazhdonte të mos funksiononte).
Në Barcelonë, energjia u rikthye rreth orës 18:20.
Sipas gazetës portugeze "Expresso", operatori portugez E-Redes deklaroi se ndërprerja ishte shkaktuar nga «një problem me sistemin elektrik europian» dhe se kishte qenë e nevojshme të ndërpritej energjia në disa zona për të stabilizuar rrjetin.
Në Francë, zonat e prekura nga ndërprerja rifituan normalitetin pak pas orës 14:10.
Ren, kompania përgjegjëse për transmetimin e energjisë elektrike dhe gazit në Portugali, parashikoi se «balancimi» i sistemit do të arrihej gjatë natës.
Mbrëmjen e së hënës, energjia u rikthye edhe në Lisbonë.
Hipoteza e një sulmi kibernetik
Instituti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike i Spanjës (INCIBE) po analizon ngjarjen për të vlerësuar nëse mund të ketë qenë një sulm informatik.
Edhe ministri portugez për Kohezionin Territorial nuk e kishte përjashtuar menjëherë këtë mundësi, megjithëse më vonë autoritetet portugeze saktësuan se «deri tani nuk ka prova për një sulm kibernetik».
Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), hetimet e para sugjerojnë se shkaku i ndërprerjes është teknik dhe jo pasojë e një sulmi kibernetik: «Për momentin duket të jetë një problem teknik ose një defekt në ndonjë kabllo», tha një zëdhënës i ENISA-s për "Bloomberg".
Eksperti energjetik italian, Davide Tabarelli nga Nomisma Energia, i tha agjencisë Ansa: «Situata është shumë serioze, nuk mund të përjashtojmë asnjë mundësi, nga një sulm kibernetik te sabotimi i ndonjë infrastrukture kritike. Mund të ketë qenë edhe një zjarr në juglindje të Francës që nxori jashtë funksionit një linjë importi».
Tabarelli shtoi se do të duhen orë të tëra për të rikthyer shërbimin elektrik spanjoll në normalitet.
Situata në Itali dhe për qytetarët italianë
Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, i cili ndodhet aktualisht në Valencia për një takim me sipërmarrës italianë dhe për Kongresin e PPE-së, bëri të ditur se është në kontakt me ambasadën italiane dhe konsullatat në Madrid dhe Barcelonë për të ndjekur situatën.
«Qytetarët italianë janë kontaktuar nga konsullatat italiane dhe nga Njësia e Krizave në Romë me mesazhe që mund të mos kenë arritur ende për shkak të problemeve me rrjetin celular», njoftoi Ministria e Jashtme.
Ndërkohë, kompania italiane e rrjetit elektrik Terna konfirmoi se «aktualisht nuk ka probleme operacionale në rrjetin kombëtar të transmetimit të energjisë në Itali»./ Corriere della Sera
Pas ndërprerjes së energjisë elektrike në Spanjë, Portugali dhe Francën jugore, në disa zona ka nisur që të rikthehet energjia.
Sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Informacionit (ENISA), hetimet fillestare për shkakun e ndërprerjeve të energjisë elektrike në Spanjë, Portugali dhe Francën jugore kanë treguar se ka pasur një problem teknik dhe jo një sulm kibernetik, sipas La Repubblica.
"Hetimi deri më tani duket se tregon se është një çështje teknike ose kabllore. Megjithatë po monitorohet nga afër situata dhe jemi në kontakt me autoritetet kompetente në nivel kombëtar dhe komunitar’, tha ai.
Ndërkohë, edhe kryeministri portugez Luis Montenegro deklaroi se nuk ka indikacione për sulm kibernetik.
‘Nuk ka asnjë tregues se ndërprerja e energjisë elektrike që preku kryesisht Spanjën dhe Portugalinë ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik', tha ai.
Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar kaos edhe në biznese
Rreth një orë pas ndërprerjes së energjisë në Spanjë, Google Maps tregoi nivele zonash të kuqe të trafikut në rrugë të gjata të rrugëve kryesore në disa qytete, si aksi Castellana-Prado-Recoletos, i cili shkon nga veriu në jug në Madrid, ose rrugët e rregulluara nga semaforët, si Príncipe de Vergara ose Gran Vía, siç është rasti në Barcelonë ose Sevilje.
Shumë kompani kanë vendosur të dërgojnë punonjësit e tyre në shtëpi, për shkak të pamundësisë për të vazhduar ditën e tyre të punës.
Por jo vetëm kaq, sepse më e keqja kanë qenë plaçkitjet, kryesisht në supermarkete dhe bizneset me hapësira dhe frekuentim të madh.
Vjedhje masive në supermarkete dhe disa dyqane u raportuan, si pasojë e errësirës dhe kaosit të krijuar.
“Disa dyqane luksoze në qendër të Madridit mbyllën dyert e tyre nga frika e vjedhjes dhe plaçkitjes. Megjithatë, ata që kanë mbetur të hapur duket se vuajnë nga vjedhjet dhe plaçkitjet”, raporton media spanjolle "Marca”.
Shërbimi 112 në komunitete autonome si Madridi dhe Castilla León, ndër të tjera, këshillon që 112 duhet të përdoret vetëm për thirrje urgjente.
Kompanitë e energjisë elektrike ende nuk kanë dhënë asnjë deklaratë në lidhje me ngjarjen, por po hetojnë shkaqet e ndërprerjes, mes tyre si pistë kryesore mbetet hakimi kibernetik. Ndërprerjet shtrihen në Portugali, Francë, të gjithë Spanjën, Andorrën dhe vende të tjera të botës.
Moment nga 'blackout'-i në Spanjë, forcat e sigurisë dhe qytetarët në kaos
Nuk ka ende një përgjigje zyrtare, por teoritë, duke përfshirë ato më konspirative, kanë filluar të dalin.
Spanja, Portugalia dhe vende të tjera evropiane janë pa energji për shkak të ndërprerjes së gjerë dhe lind pyetja e madhe: Në mungesë të ngjarjeve ekstreme të motit, cili është shkaku i mundshëm i ndërprerjes?
Juanma Moreno, Presidente e Qeverisë Rajonale Andaluziane u tha mediave se pavarësisht se nuk kishte asnjë komunikim nga qeveria apo ndonjë siguri, "vetëm bazuar në të dhënat nga Andaluzia, një ndërprerje e kësaj natyre mund të ishte një sulm kibernetik".
Në këtë linjë, një dështim në një nënstacion ose linjë energjie mund të shkaktojë ndërprerje kaskadë që prekin disa qytete ose lagje të tëra. Një qark i shkurtër, një dështim i izolimit ose një dështim i thjeshtë mekanik në një transformator mund të jetë i mjaftueshëm për të shkaktuar ndërprerje, edhe pa shkaqe meteorologjike, informon 'Marca'.
Për momentin nuk dihet nëse ky është shkaku. Sulmet kibernetike: Hakimet e synuara kundër sistemeve elektrike, janë një shqetësim i madh për qeveritë dhe kompanitë e energjisë.
Qeveria spanjolle ka nisur një hetim për këto ndërprerje, duke shfrytëzuar ekipe teknike nga disa ministri. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen. Instituti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (INCIBE) po analizon gjithashtu situatën për të përcaktuar nëse mund të jetë një sulm kibernetik, por deri më tani nuk ka arritur në ndonjë përfundim.
Por ka dhe shumë faktorë që mund të shkaktojnë një dështim të rrjetit të energjisë: mbingarkesat, qarqet e shkurtra, dështimet e nënstacionit ose problemet me linjat e tensionit të lartë. Një arsye tjetër mund të lidhet me konsumimin e infrastrukturës: pajisjet e vjetra ose të mirëmbajtura keq mund të dështojnë papritur, edhe për shkak të gabimit të mundshëm njerëzor.
Spanja ka një rrjet të gjerë dhe kompleks të energjisë elektrike, i operuar kryesisht nga Red Eléctrica de España (REE) për transmetim dhe nga kompani të ndryshme shpërndarjeje (Endesa, Iberdrola, Naturgy, etj.). Ngjarjet ekstreme të motit: stuhi, rrufe, uragane, valë të nxehti ose të ftohta intensive që dëmtojnë infrastrukturën.
Komente

