Rritja e mbarështimi i bagëtive të imta është traditë e familjes Kika në fshatin Valikardhë të Bulqizës. Bari Kika, pasi provoi emigrimin në Greqi, u rikthye 15 vite, më parë për të investuar në fshatin e lindjes. Sot numëron 350 krerë, por kushtet lënë për të dëshiruar.

“Ka rreth 15 vjet që merrem me këtë zanat kam punuar më përpara në Greqi, më pas jam kthyer se e kam pasion blegtorinë. E kam pasion të vjetër, baba e gjyshi e katragjyshi herët janë marrë me këtë punë”.- u shpreh ai.

Dimri është periudha më e vështirë! Për shkak të të ftohtit, bagëtitë dalin më rrallë në kullotë, ndaj blegtori shpenzon për blerjen e bazës ushqimore. Gjatë verës shtegton me tufën drejt lëndinave alpine.

‘Kam 350 kokë bagëti, dhi rrace, vendi. Kohën e dimrit i ushqej me jonxhë, misër edhe kullosin nga pak jashtë. Nuk ia leverdis me e cu qumështin  në baxho se misri është me 600 mijë lek kuintali, qumështin e merr me 500 lek litrin ai (baxhoja). Ndaj dua ta hap vete një mini-baxho, se bagëtitë shkojnë larg dhe s’mundesh me e sjell qumështin poshtë. Bagëtitë lëvizin me stane në vere, dy mijë metra mbi nivelin e detit.’-  shpreh Kika.

Ai punon bashkë me familjen në këtë fermë, por në fund të ditës mundet të shesë vetëm kecat, has vështirësi për të shitur qumështin e bulmetin.

‘Do ngrihesh në mëngjes do t’i ushqesh me jonxhë, pastaj ujë, pastaj në kullotë, duan tre here në ditë ushqim, kam punë gjithë ditën pa ndalim. Pasi heqim kecat, bëjmë mjeljen me dorë të qumështit se s’kemi mundësi me ble makineri. Këto janë kushtet, është punë e vështirë. Ditën e natën, sepse natën kanë procesin e lindjes.  Treg për kecat kam se këtu në këtë zonë jam veç unë s’kanë të tjerët. Për qumështin s’gjej treg.’- tha Kika.

Blegtori nga Valikardhi ka hapur NIPT, por subvecioni që merr nga shteti është i pamjaftueshëm. Përmes Report TV, ai kërkon mbështetje nga AZHBR-ja për të ndërtuar stallë të re dhe baxho.

“Jemi keq për stalla, i mbaj me plasmas dhe në tunelet e partisë së punës, skam mundësi të investoj, se të kem mundësi i shtoj më shumë.  Kërkoj financim për stallë dhe baxho. S’kam aplikuar për fonde se duhen shumë letra, dokumente. Unë kam dëshirë ta trashëgoj tek fëmijët, nëse e zgjeroj aktivitetin. Nëse kam ndihmë nga shteti do t’i shtoj, në të kundërt në vjeshtë do t’i heq.’- tha Kika.