Blendi Gonxhja, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit foli në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së. Ministri i Sportit tregoi se deri në fundin e këtij viti do jenë gati aktet nënligjore për 'Ligjin e Sponsorizimeve' dhe nga viti 2027 ai do jetë në fuqi, duke i dhënë më shumë frymëmarrje biznesmenëve që investojnë në sport.

Ligji për sponsorizimet në sport në Shqipëri, i bazuar kryesisht te Ligji nr. 7892, datë 21.12.1994, i ndryshuar, synon nxitjen e financimit privat përmes lehtësive tatimore. Bizneset që sponsorizojnë sporte (veçanërisht futboll, basketboll, volejboll) përfitojnë zbritje nga tatim-fitimi, me raste që synojnë zbritje deri në 15-20% për sportet e përhapura.

"Doja të theksoja lajmet e mira dhe t'i rikonfirmoja, javën e shkuar mbyllëm konsultimin publik sa i përket një ligji shumë të rëndësishëm që do hapë një horizont shumë të madh e të gjerë, të shumëpritur, që është ai i Sponsorizimeve. Theksoj që vendin e parë e zë futbolli, për sa i përket forcës që ka për promovimin dhe forcën që ka për kthimin e investimit.  

Ligji i Sponsorizimit do sjellë më shumë shikueshmëri dhe do japë për ata që do investojnë në këtë sport një promovim dhe shikim që përmes futbollit është shumë herë më i madh. Kjo do krijojë një valë të re besimi, inkurajimi dhe dëshire, pse jo filantropinë si kulturë në vendin tonë për të dhënë për sportin dhe për të marrë pas nga sporti një promovim dhe shikueshmëri për 'brand-et' edhe kompanitë, që sportin nuk e kanë vetëm për pasion.

Nga fundi i këtij viti mbyllim aktet nënligjore dhe procedurale, duke 'qepur' gjithë sistemin e aplikimit dhe vetëdeklarimit të mënyrës sesi do funksionojë Ligji i Sponsorizimit. Viti 2027 do jetë një kthesë e re, një epokë e re për injektimin e sa më shumë financave në sport, ku futbolli zë vendin kryesor.

Ky është një lajm shumë i rëndësishëm dhe nevojë e shumëpritur për sportin. Është e pamundur të mendojmë se mund t'ia dalim vetëm me fonde buxhetore, kështu që po bëjmë të pamundurën për formulën që deri sot nuk kanë qenë, kjo në mbështetje të sportit. Kjo gjë do vijë si një paketë që do përfshijë edhe artin, kulturën, spektaklet, gjithë ngjarjet ndërkombëtare, sepse kjo është një levë ekonomike për vendin dhe pse jo edhe turizmin", tha Gonxhja mes të tjerash.


Lajmi kryesor:

Armand Duka 'garoi' i vetëm, 48 delegatë i japin mandatin e shtatë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit