Blendi Kajsiu: Basha, ky humbës i madh

Blendi Kajsiu: Basha, ky humbës i madh

Pavarësisht anomalisë brenda së cilës u zhvilluan, zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit shënuan një humbje të rëndë për PDnë në përgjithësi dhe Bashën në veçanti. Përtej justifikimeve të përhershme të këtij të fundit, mbetet fakti që për herë të parë në 30 vite tranzicion PD-ja del forcë e tretë. Pa u pranuar ky fakt nuk mund të bëhet një analizë e faktorëve që çuan në këtë humbje të thellë.

Ajo që bie në sy sot, ashtu sikurse edhe pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, është mungesa e një analize të thellë të shkaqeve që çuan në katastrofën elektorale të 6 marsit. Shumë deputetë të PD-së në nxitimin për t’u dorëhequr apo për t’i kërkuar përgjegjësinë dhe dorëheqjen Bashës nuk kanë bërë asnjë analizë të fushatës që bëri PD-ja në këto zgjedhje.

Natyrisht që faktorët e dukshëm si Shtëpia e Lirisë dhe lidershipi i dobët i Bashës janë të rëndësishëm për të shpjeguar rezultatin e 6 marsit. Ai është pjesërisht fatura që Basha pagoi te militantët e djathtë për mënyrën sesi ai e menaxhoi betejën me Berishën, pa verb, pa artikulim politik, pa transparencë dhe kolegjialitet, madje pa u takuar dhe sqaruar me anëtarësinë e PD-së.

Por rezultati i 6 marsit duhet lexuar edhe si dështim i PD-së dhe i Bashës për të krijuar ura lidhëse me shoqërinë civile, apo me elektoratin gri, ku në fakt qëndron forca e tyre. Ashtu sikurse në zgjedhjet e 25 prillit, edhe këtë herë Basha dhe PD-ja u futën në garë për të dalë parti e dytë. Ata e zhvilluan betejën e tyre te rrethi i ngushtë i militantëve, ku në fakt Berisha gëzon superioritet.

Duke synuar të mbajë PD-në, Basha, në fakt, humbi elektoratin e djathtë gri. Kjo del qartë nga fakti se shumica e kandidatëve të tij ishin kryetarë degësh. Në qytete të rëndësishme si Durrësi apo Shkodra pamë thjesht kandidatë partiakë dhe asnjë kandidat nga shoqëria civile apo një fushatë që synonte ta lidhte PD-në me shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Dhe në qytete të tilla ka plot intelektualë, mjekë, arkitektë dhe jo vetëm biznesmenë, që gëzojnë respektin e qytetarëve.

Pra, zgjedhjet e 6 marsit u kthyen në një zgjatim të luftës së brendshme të PD-së, duke e injoruar tërësisht shoqërinë shqiptare që u përgjigj me mospjesëmarrje. Në vend që t’i trajtonte këto zgjedhje si betejë me PS-në, PD-ja i reduktoi ato te përplasja me Shtëpinë e Lirisë, duke rënë preh e logjikës së banakëve analitikë. Në vend që ta hapte PD-në ndaj shoqërisë në këto zgjedhje, Basha e mbylli atë edhe më shumë, duke vazhduar kështu të mbetet një kopje e keqe e Berishës.

Ndaj, në këtë pikë, e vetmja mënyrë që i mbetet Bashës për të bërë diferencën me liderët e përjetshëm, Berisha dhe Meta, është dorëheqja. Ky do ishte akti i vetëm që i siguron atij fitoren më të madhe politike, për të cilën do të mbahet mend, largimin e Berishës dhe berishizmit nga PD-ja. Arsyetimi se largimi i tij do prodhojë rikthimin e Berishës nuk qëndron tashmë që ky i fundit është përjashtuar nga PD-ja.

Aq më tepër që zgjedhjet e 6 marsit ishin një goditje e madhe edhe për ish-”peshat e rënda”, Berisha dhe Meta. Fitorja e tyre mbi “humbësin kronik” Basha zbehet përballë humbjes së thellë ndaj PS-së së Ramës. Ahengu i “Shtëpisë së Lirisë” nuk mund të fshehë faktin se ajo mori pothuajse gjysmën e votave përballë makinës së fikur elektorale të PS-së. Kandidatët e Ramës morën 55% të votave përballë 31% të kandidatëve të Berishës dhe Metës. Dhe të mos harrojmë se në këto zgjedhje një pjesë e mirë e votave vinin nga Shkodra, bastioni i së djathtës.

Kaq mjafton për të kuptuar se një opozitë e bashkuar nën lidershipin Berisha-Meta është e destinuar të dështojë jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale, por sidomos në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Nëse në zgjedhjet e fundit parlamentare ata u fshehën pas “djalit të mirë” Lulzim Basha e përsëri nuk fituan, në vitin 2025 asnjë “çun i mirë” nuk do mundë të fshehë faktin se “Shtëpia e Lirisë” është një aleancë mes dy biznesesh politike familjare, Berisha dhe Meta. Nuk është rastësi që në zgjedhjet e fundit Meta kish angazhuar gruan dhe Berisha dhëndrin.

Që PD-ja të mos kthehet në një tjetër biznes politik familjar ku Basha angazhon kunatin, është e rëndësishme që aty të hapet një garë reale dhe demokratike për një lidership të ri. Natyrisht, me kushtin e vetëm që të mos marrë pjesë as Basha dhe as Berisha dhe zaret e tij. Këta të dy, dhe sidomos Berisha, kanë treguar se nuk dinë as të bëjnë zgjedhje të ndershme në PD dhe as të emërojnë apo krijojnë lidership të denjë. Mjafton të kujtojmë që Basha është made in Berisha./Panorama.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it

Alarm në Greqi, ujërat e zeza të Athinës të ‘mbingopura’ me kokainë! Dyfishohet konsumi i drogës gjatë festave, ulet niveli i COVID-it