Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” ish-kryetari i KLSH njëherësh ish-deputet i Partisë Demokratike, Blerim Çela është shprehur me tone të ashpra në drejtim të orientimit të opozitës dhe pranisë dhe ndikimit të liderit historik të PD Sali Berisha në jetën politike të PD. Ai thotë se Basha nuk është kreu real i PD dhe për sa kohë ish-kryetari do të drejtojë këtë parti, opozita do të qëndrojë në opozitë. Për Çelën, e majta fitoi me meritë më 23 qershor, dhe përgjegjësi kryesor për humbjen e të djathtëve është ish-kryeministri, i cili nuk u ngrit dot mbi interesat e tij personale, duke bërë që vendi të zhytej në korrupsion dhe abuzim me pushtetin.
Pasi kundër Berishës në këto zgjedhje përpos të majtëve kanë votuar dhe të djathtët. Pavarësisht se qeverisë së Berishës i njeh disa merita, ish-deputeti demokrat shprehet se ka besim në aksionet më të fundit të kryeministrit të ri Edi Rama, në lidhje me lojrat e fatit por dhe me vendosjen e një auditi ndërkombëtar për të zbardhur gropën financiare në financat shqiptare. Sipas tij ringritja e së djathtës mund të vijë vetëm si fryt i bashkëpunimit dhe jo përmes akuzave.
Në këtë kontekst ai zbardh dhe arësyen e koalicionit të pjesshëm të FRD me PS për zgjedhjet në bashkinë e Korçës, duke deklaruar se dhe partitë e tjera kanë të drejtë të bëjnë koalicion me të majtën, pasi monomolin e këtij koalicioni nuk e ka vetëm Berisha, sikurse ka bërë deri më tani. Sa i përket largimit të deputetëve, Çela thotë se ata janë kthyer te familjet e tyre politike dhe se këto janë përgjegjësi direkte të Berishës pasi ai i mori vetë në dëm të njerëzve të PD dhe tani le të korrë atë që ka mbjellë jo vetëm këtë mandat, por gjatë 23 vjeteve.
Z.Çela, duke qenë ish kryetar i KLSH-së dhe politikan prej 23 vjetesh, si e komentoni aksionin e qeverisë për lojrat e fatit?
Aksioni i qeverisë është i domosdoshëm për të pastruar vendin nga lojrat e mëkatit që janë kthyer në baza të humbjes së vullnetit e parazitizmit, të atyre shqiptarëve që besojnë tek fati, dhe jo në zotësinë e fuqinë e vet për të fituar përmes punës. Biznesmenët e lojrave të fatit e kanë ngritur biznesin jo për të fituar klientët, por për t'u pasuruar ata vetë. Kumari, kurrë nuk ka qenë i mirë për shoqërinë njerëzore, ai dhe në përralla e tregime dënohet si një mëkat që sjell vetëm fatkeqësi. Më të janë marrë më shumë njerëz pa moral dhe pasanikë që nuk dinë ku të çojnë paratë e fituara pa mund e djersë, ndërsa fukarenjtë t’i futen punës dhe jo të mbajnë shpresa tek loja e kumarit me letra apo elektronike.
Ato të nxjerrin në të njëjtin shteg, humbje sherre në familje, divorce, fatkeqësi e deri në krime. Këto lojra ekzistojnë në të gjitha vendet e botës, dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim, por, siç thotë populli, gjella me kripë e kripa me karar(masë). Tek ne ato u përhapën aq shumë sa nuk ngeli qoshe qyteti pa një sallë lojrash, duke u kthyer në fatkeqësi jo vetëm për ata që luajnë, por edhe për familjarët e tyre e shoqërinë në tërësi. Jemi në një shoqëri të lirë dhe nuk do të pengojmë lojrat e fatit, por ato duhen reduktuar shumë.
Pra e mbështesni aksionin e qeverisë së majtë...?
Mendoj se ky është dhe qëllimi i qeverisë socialiste dhe njerzit e mençur e mbështesin një aksion të tillë. Nëse ky aksion do të vazhdojë me kujdes dhe pa u tërhequr, jo vetëm kundër biznesit “BLU”, por kundër çdo lloj biznesi që është i palicensuar dhe i paligjshëm, si dhe vjedhës i tatim-taksave të shtetit, u lumtë dora! Qeveria duhet të ketë kujdes që këto kërpurdha helmuese të mos rilindin përsëri nën ngjyrën ‘vjollcë’ se atëherë ky aksion nuk është në të mirë të shoqërisë, por një aksion politik për ndërrim vendesh. Kam besim se zoti Rama dhe ekipi i ri qeveritar nuk do të bien në këte gabim, ndryshe aksioni do të ishte vetëm një aksion populist pa bereqet për popullin dhe fitimprurës për fitimtarët e 23 Qershorit.
A mendoni ju se auditimi i qeverisjes së larguar do të ishte eficient për ekonominë?
Jo vetëm eficient, por edhe i domosdoshëm për të vendosur moralin dhe ligjin në administratë. Auditimi është një proces periodik që kryhet si nga kontrolli i brendshëm i institucioneve publike, ashtu edhe nga KLSH. Auditimi nga kompani të huaja, prë mendimin tim, bëhet për dy arsye. Së pari, që të mos paragjykohet qeveria se po ia bën vetë këtë kontroll paraardhësve, dhe së dyti, nuk ka besim tek auditimi i brendshëm me ekspertë kontabël, si dhe nga KLSH-ja. “Deloiten Tush” ka dhënë prova jo të mira me auditimin e kompanive piramidale, qoftë për tarifën e larte të shërbimit, qoftë për zgjatjen e procesit pa ndonjë efektivitet të pritshëm. Mendoj se ekspertët tanë kontabël janë të aftë dhe profesionalë në këtë drejtim dhe paguhen shumë e shumë më pak se sa kompanitë e huaja audituese.
Veç këtyre KLSH ka specialistë shumë të mirë dhe jo të politizuar, që mund të bënin një auditim të saktë dhe objektiv pa asnjë shpenzim. Me eksperiencën që kam në këtë fushë, shpreh besimin e plotë tek kryetari i KLSH-së z.Bujar Leskaj, i cili gjatë kësaj periudhe që drejton këtë institucion, ka treguar profesionalizëm, drejtësi, objektivitet dhe këmbëngulje për t’i shkuar deri në fund problemeve financiare të shtetit. Të njëjtën gjë do bënte dhe me auditimin e veprimtarisë ekonomiko-financiare të qeverisë ‘Berisha’.
Si i shikoni zhvillimet politike në PD dhe rolin e Berishës?
Partia Demokratike është një forcë politike që pas zgjedhjeve të 23 Qershorit është rrudhur. Është një fenomen i pritshëm. Kur humbet zgjedhjet, gjithmonë rreth partisë ngelet bërthama e militantëve të vendosur, pjesa tjetër lufton për mbijetesë. Por këtë radhë rrudhja e PD ka ardhur për shkak të politikës centraliste, nepotike, klienteliste dhe interesaxhie të Berishës e rrethit të tij të afërt politik që u larguan nga interesat dhe problemet e militantëve e simpatizantëve të PD-së, por edhe nga hallet e popullit, që Berisha mendonte se do t'a sugjestiononte me fjalimet e tij antiopozitë në mbledhjet e qeverisë, dhe në inaugurimet e mërziteshme deri dhe te objekteve të parëndësishme.
Populli sigurisht që do rrugë, shkolla, por do dhe punë, siguri, kushte të mira për shëndetin, drejtësi në biznes, mirëpritje dhe zgjidhje problemesh në administratë, kontroll kundër zvatjes nga faturat e energjisë elektrike, të ujit, siguracioneve motorike, të cilësisë së karburanteve e çmimeve të larta të shërbimeve celulare, të shërbimeve bujqësore për kullim, ujitje, plehërim, plugim, korrje, shirje e grumbullim-shpërndarje. Këto e shumë shërbime të tjera publike i kanë munguar popullit, tregu informal u bë pengesë për një konkurencë të ndershme në biznes, taksambledhësit u bënë figura të papëlqyeshme dhe zhvatëse të bizneseve të cilat denoncoheshin, por e drejta nuk gjendej, medikamentet mungonin në spitale, por edhe në farmaci shiteshin medikamentë të skaduara e me çmime të larta.
Korrupsioni lulëzonte, shenjat e luftës kundër tij ishin anemike. Mosfunksionimi normal i të tre pushteteve personalizoi pushtetin e njëshit duke mbjellë mosbesim tek drejtësia, policia dhe institucione publike. Mendimi që mund të ketë ushqyer Berisha se kontrolli i tij mbi çdo institucion do të sillte përparim doli i gabuar dhe antidemokratik. Shpresoj të mos bjerë Rama në këtë gabim fatal.
Por Berisha mori përgjegjësi, dha dorëheqjen nga funksionet...?
Dorëheqja e Berishës nga të gjitha postet në parti ishte më se i drejtë, por qëndrimi i tij hije pas kryetarit Basha është pengesë e zhvillimit të demokracisë së brendshme në parti dhe injorim i rolit të kryetarit ‘de jure’ në punët dhe opozicionin e Partisë Demokratike. PD-ja vazhdon me berishizmin. Kot që iku Berisha. Më i ndershëm do të ishte qëndrimi i tij në krye të PD-së se sa vendosja e një fasade që i shërben në aparencë dorëheqjes së tij hipokrite.
Kur kryetari nuk ka liri veprimi të drejtojë, të udhëzojë, të marrë mendimin e kryesisë dhe ta diskutojë lirisht pa pasur indikacione të tjera, nuk mund të presësh prej tij një drejtim të pavarur, e krijues. Prandaj nuk them vetëm unë, por të gjithë ata që e njohin PD nga afër, se Basha nuk është kryetari real i PD-së. Sa më shumë të rrijë Berisha ne krye, aq më shumë do të ulen shanset e rikthimit të PD-së në pushtet pas 4 vitesh, e madje edhe pas 8 vitesh. Shkaku i vërtetë i humbjes së PD-së është drejtimi i keq i Berishës. PD-ja duhet të largohet nga berishizmi si një formë drejtimi autokratik, antidemokratik dhe nepotik, e për fat të keq edhe klientelist që ushqeu korrupsionin politik dhe ekonomik.
Përse FRD-ja një forcë politike e djathtë bëri koalicion me të majtën? Po zgjedhjet lokale në Korçë ishin normale?
Koalicioni me të majtën në Korçë ishte kërkesë e bazës së partisë në atë rreth dhe kryesia e partisë e miratoi. FRD-ja ka qenë dhe është për forcimin e shtetit dhe i qëndron këtij mendimi, prandaj besoi dhe mbështeti kërkesën e bazës në Korçë që ishte e bindur se aleanca me të majten do të përmirësonte mirëqeverisjen e atij qyteti të bukur e me tradita kulturore e patriotike. Monopolin e aleancave me të majtën nuk e ka vetëm Berisha. Kur ai bën aleancë me të majtën qenka veprim i rregullt, kur të tjerët bëjnë ndonjë aleancë qoftë edhe pjesore si ajo e Korçës, paskan bërë sakrilegj kundër të djathtës. Ka marrë fund monopoli i të drejtës nga Berisha. Secila parti vepron ashtu si e sheh të arsyeshme në dobi të vendit dhe intereave të partisë e të bazës së saj që kërkon shpresë për të ardhmen.
Kjo tabu tashmë ka marrë fund. Për mendimin tim nuk ka të majtë e të djathtë në Shqipëri, por vetëm dy grupime politike me programe pothuajse identike. Koalicionet me secilën prej tyre nuk do të përbënin asnjë të keqe. FRD do të ishte e prirur drejtë PD-së, por Berisha e pengoi këtë koalicion se nuk duron dot mendim ndryshe në partinë apo koalicionin e tij. Të quash bllokmen Ramën është e papranueshme se ai ka qenë dhe është antikomunist 100 herë më shumë se Berisha. Ai nuk duhet të marrë mësimet e Berishës sepse tek tuk edhe e ka kopjuar. Të heqë dorë nga mësimet e mbrapshta të tij që të rrezatojë qytetari dhe vokacion perëndimor.
Po Korça...?
Dua të shtoj atë që emisioni FIKS FARE trajtoi si blerje votash në Korçë nga e majta. Nuk e vë në dyshim investigimin e FIKS-it. Veprimi i blerjes së biletave të studentëvë, të pranuar nga e majta, është një veprim i jashtëligjshëm dhe i dënueshëm, po kështu dhe ai i blerjes së votës në 23 qershor nga e majta. Të dy rastet duhen trajtuar me seriozitet nga prokuroria dhe duhen dënuar ashpër. Demokracia nuk zhvillohet me pushtet të blerë.
PD kërkon përsëritje të zgjedhjevë në Korçë. Ka të drejtën ta kërkojë se e majta u kap me presh në duar, pavarsëisht se gomarllëku i blerjes të disa dhjetra e po qindra votave nuk do ta ndryshojë rezultatin. Për moralin e saj e majta duhet të kërkojë vendosjen para ligjit të atyre qe e kryen këtë krim dhe të përsërisë zgjedhjet në Korçë. Mendoj se jo vetëm do të fitojë bindshëm ato zgjedhje, por edhe do të fitojë moralisht para elektoratit mbarëshqiptar.
Si i shpjegoni rrjedhjet e deputetëve nga opozita e djathtë drejt mazhorancës së majtë?
Së pari, mazhoranca është gjithmonë atraktive dhe ka magnetin e pushtetit e të favoreve që burojnë prej tij. Së dyti, drejt mzhorancës kanë shkuar ata që i kanë përkitur historikisht të majtës, dhe së fundi Berisha i mori vetë në dëm të njerëzve të PD, tani le të korrë atë që ka mbjellë jo vetëm këtë mandat, por gjatë 23 vjeteve. Megjithëse personalisht nuk jam mbështetës i Berishës, nuk mund të mohoj punën e mirë të qeverisë demokratike në disa fusha si ajo e moskalimit të vendit në recension ekonomik me gjithë krizën ekonomike europiane, rritjen e rrogave të arsimtarëve e të shëndetësisë, rritjen e pensioneve, ndërtimin e rrugëve pavarësisht populizmit në inaugurimet dhe mungesës së standardeve europiane në shumë prej tyre, mospërfundimin dhe cilësinë e shumë rrugëve që janë bërë pengesë dhe shkaktare të aksidenteve etje.
Nuk duhet harruar antarësimi i Shqipërisë në NATO dhe përgatitja e saj për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Pra duhet eleminuar fryma e nihilizmit për kundërshtarin politik sikur Shqipërisë i erdhën gjithë të zezat nga Partia Demokratike e Berisha. Kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria ka ecur në rrugën e demokracisë me kontributin e të dy forcave politike kryesore.
Por dhe të meta ka pasur....?
A ka patur të meta dhe shkelje të rënda ligjore e korrupsion? Sigurisht që po, dhe unë jam njëri prej atyre politikanëve që i kam numëruar ato qoftë në fushën ekonomike, qoftë në atë sociale e sidomos në atë politike, lidhur me përqëndrimin e pushtetit në PD vetëm në dorë të Berishes, duke asgjësuar demokracinë e brendshme në PD dhe transferuar atë në përqëndrimin e të tre pushteteve, madje dhe të mediave në dorë po të Berishës. Këto tregojnë se demokracia ka ecur me hapa të ngadalta tek ne, jo se nuk i kemi kushtet, po sepse si qeverisja e mëparshme socialiste, ashtu dhe ajo demokratike, veçanërisht në mandatin 2009-2013 ka qenë problematike.
Po të kishte një qeverisje vërtetë demokratike në Shqipëri, po të kishte siguri te qytetaret, një administratë serioze e në shërbim të publikut, të pakorruptuar, një sistem shëndetësor dhe arsimor të mirë, një administrim të ndershëm të fondeve të investimeve, jo politik, e të mirëkontrolluar të resurseve të vendit si në naftë, energji, miniera, bujqësi, ruajtjen e ambientit, të pyjeve e tokave nga erozioni e ndërtimet pa leje, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, sigurisht që PD do të fitonte përsëri në 23 Qershor.
Por fitoi koalicioni i majtë...?
Fitorja e padiskutueshme e të majtës shqiptare në këto zgjedhje, për mendimin tim, ishte e merituar. Fjalët se shumë vota u blenë, sipas informacioneve që kam nga të gjitha palët, është i vërtetë. Pakot me 5000 lekshe të reja të shpërndara ne shume zona rurale e disa qytete, janë të sakta. Kjo është përgjegjësi e forcave politike të majta, por dhe e papërgjegjësisë të Partisë Demokratike në pushtet, që duke patur frikë nga akuzat e të majtës, uli vigjilencën në ruajtjen e votave. Megjithatë, sasia e votave të vjedhura e të blera nuk janë 1 milion, shumë shumë mund të jenë disa mijra që nuk ndikojnë aspak në rezultatin përfundimtar. Berisha të shikojë përgjegjësitë personale të tijat, dhe atë të drejtuesave të PD-së në qendër e në bazë. Fryma e zgjedhjeve të 23 Qershorit ishte në masë të gjerë(majtas e djathtas), anti Berishë. Për mendimin tim, nuk ishte anti-PD, sepse vetë PD-istet nuk e donin me atë lloj qeverisje që i kish braktisur.
Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)