Blerta Zhegu, zëri
premtues i operas shqiptare

Blerta Zhegu, zëri <br />premtues i operas shqiptare
TIRANE - Një talent i ri është shfaqur gjatë premierës “L’elisir d’amore”, e cila është ngjitur në Teatrin e Operës dhe Baletit me regji të Armand Borës. Solistja Blerta Zhegu me rolin e Adinës ishte surpriza e kësaj shfaqjeje, krahas interpretuesve profesionistë si Ermonela Jaho, Marjana Leka, Eva Golemi, Saimir Pirgu, Gëzim Myshketa, etj. Bleta Zhegu ishte ndër më të rejat, por kjo nuk e ka penguar të zotërojë skenën dhe të marr duartrokitje të zjarrta nga publiku shqiptar. Madje pas diplomimit të saj më 16 mars 2012 me pikët maksimale 110/110 në konservatorin “Claudio Monteverdi”, Bolzano, ajo ka nisur të jetë e preferuara e regjisorëve të operës. Tashmë ajo është duke pritur të shijojë suksesin e radhës, pasi e kanë ftuar të këndojë edhe në operën “Carmina Burana”, e cila do të shfaqet në Teatrin e Operas dhe Baletit në datat 17, 18 dhe 19 maj nën dirigjimin e Edmond Dokos.

INTERVISTA

Në shfaqjen e “L’elisir d’amore” ishit një nga solistet më të pëlqyera nga publiku, i cili ju mbajti gjatë me duartrokitje në skenë. Si e shijuat ju vetë këtë sukses?
-Roli i Adinës me ka dhënë një entuziazëm të veçantë, jo vetëm se është një nder rolet e mi të preferuar, por mbi të gjitha sepse shënoi debutimin tim si artiste në Teatrin e Operës dhe Baletit. U ndjeva tepër e emocionuar që publiku ynë e mirëpriti interpretimin tim dhe këtë e ndjeva nga duartrokitjet e njerëzve, qe më motivuan që në pjesën e parë të shfaqjes, për të dhënë maksimumin.

Cila është rruga ku keni ecur për të arritur skenën e Teatrit Të Operës, si kanë nisur bashkëpunimet e para?
-Përveç përvojave shkollore, përvojat e mija në skenë fillojnë jashtë Shqipërisë me pjesëmarrjen ne operat “The Telephone” G.Menotti, “Opera për tre soldi” K.VVeill apo dhe në koncerte të ndryshme në qytete si Bolzano, Pisa Luça, Livorno, Vicenza e Rovigo derisa këtë vit mu dha mundësia për të kënduar dhe në Teatrin e qytetit ku kam lindur. Marrëdhëniet me kolegët kanë qenë të mira dhe respekti reciprok ku ka lindur edhe dëshira për të ndarë njohuri e përvoja profesionale.

A ka qene muzika një traditë e familjes tuaj, apo jeni spikatur si rast i veçantë në familje. Si nisët këtë rrugë?
-Duke mos ardhur dhe nga një familje artistësh, mendoj që ishte muzika që u imponua tek unë dhe unë nuk bëra gjë tjetër përveçse të vendosja ta pranoja e ta kultivoja këtë dhuratë të natyrës duke pranuar sakrificat, vuajtjet po dhe sadisfaksionet e panumërta që ajo ofron.

Cili është roli i familjes në udhëtimin tuaj drejt botës së muzikës klasike?
-E konsideroj veten shumë me fat, jo vetëm për prindërit e mi që mbështeten që në fillim zgjedhjen time dhe u bënë një ndihme e madhe, por edhe për atë “familje të dytë” të përbërë prej pedagogësh a miqsh, që m’u gjendën e vazhdojnë të me jenë pranë në momentet me të vështira.

Çfarë mendoni të bëni pas kësaj shfaqjeje?
-Momentalisht po merrem me “Carmina Burana” e C.Orff, e cila do të shfaqet më 17,18,19 maj në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kjo vepër njihet kryesisht nga publiku i gjerë nga pjesa e parë e saj "O fortuna". Projektet më të vonshme janë akoma në rrugë...

Sa larg ose afër i shihni ato që merrni nga bankat e shkollës me qasjen drejt përvojave skenike?
-Mendoj që në fushën tonë “bankat e shkollës” dhe “skena” janë dy botë të ndryshme dhe për mua, siç besoj për çdo këngëtar tjetër, vënia ne praktikë e shumë teorive ka qene një kapërcim shumë domethënës, qe është realizuar ne saj të punës time, e padyshim ne saj të ndihmës e dashamirësisë së atyre që më janë gjendur pranë.

Si është një ditë e zakonshme për një këngëtare të muzikës operistike?
-Profesioni ynë kërkon një përgatitje sistematike dhe të përditshme, prandaj kuptohet që një pjese e mirë e ditës sime i shkon kësaj detyre. Pjesa tjetër e ditës mendoj që është e njëjtë me atë te njerëzve te tjerë, natyrisht duke bere një kujdes me të madh për të mos u ftohur...

Cilat nga sopranot shqiptare adhuroni, po ato botërore?
-Nëse do te përmendja emra mendoj që do të behej një interviste tepër e gjate sepse për një veçori apo për një tjetër vlerësoj shume soprano. Mund të them qe adhurimi im i shkon veçanërisht atyre artisteve që nëpërmjet një teknike vokale plotësisht të zotëruar dhe me anë të personalitetit te tyre arrijnë t’i japin jete personazheve që interpretojnë duke magjepsur çdo herë publikun që kanë përballë.

(dhh/im/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?



×

Lajmi i fundit

Rezoluta antikorrupsion e PS, Bardhi: Nuk i përgjigjemi ftesave publike të Ramës, por mbështesim çdo nismë që çon para integrimin e BE

Rezoluta antikorrupsion e PS, Bardhi: Nuk i përgjigjemi ftesave publike të Ramës, por mbështesim çdo nismë që çon para integrimin e BE