Kenneth Iwamasa, asistenti personal i yllit të ndjerë të serialit “Friends”, Matthew Perry, është dënuar me 3 vjet e 5 muaj burg. 60 vjeçari, u shpall fajtor për blerjen dhe administrimin e ketaminës që, sipas hetuesve, çoi në mbidozën fatale të Perry-t.
Gjatë seancës, gjykatësja theksoi se i pandehuri ishte në dijeni të varësisë së aktorit dhe se sjellja e tij kishte qenë e papërgjegjshme, jo vetëm ditën e vdekjes, por edhe në ditët para saj.
Sipas hetimeve, Iwamasa e njihte Matthew Perry-n që nga viti 1992 dhe kishte nisur të punonte si asistent i tij në vitin 2022, me një pagë vjetore prej rreth 150 mijë dollarësh. Ai ishte gjithashtu personi që e gjeti aktorin të pajetë në vaskën e shtëpisë së tij.
Prokuroria ka deklaruar se ai ka shërbyer si ndihmës për sigurimin dhe administrimin e drogës, duke qenë i vetëdijshëm për rrezikun që paraqiste përdorimi i ketaminës. Para shpalljes së dënimit, Iwamasa shprehu pendesë, duke i kërkuar falje familjes dhe miqve të aktorit dhe duke pranuar përgjegjësinë për veprimet e tij.
Matthew Perry, u gjet i vdekur në një xhakuzi në oborrin e shtëpisë së tij në Los Angeles në tetor 2023, dhe një ekzaminim zbuloi se vdekja e tij ishte shkaktuar nga efektet akute të ketaminës.
Komente






