Nga ana tjetër, vetë gjykata i konsideron prova bindëse deklaratat e dy bashkëpuntorëve të drejtësisë, dhe se mbi bazën e rrëfimeve të tyre dhe prova të tjera lidhëse, deklaron fajtorë të akuzuarit e këtij procesi hetimor që sapo ka nisur nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Burime pranë gazetës “Shqiptarja.com” thanë se sigurimi i dëshmive të dy bashkëpuntorëve Sinanaj dhe Gjokona, është bërë nëpërmjet një kërkese në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku gjykata pasi ka shqyrtuar materialin ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorëve, për të “blinduar” nga ana juridike dy dëshmitë e anëtarëve të grupit khriminal që kryentë vrasje me pagesë.
Dispozita ligjore
Mundësia e kanosjes me jetë të Julian Sinanaj dhe bashkëpuntorit tjetër Ndriçim Gjokona, dhe frika për një kthim prapa të dëshmisë së tyre të dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka shtyrë anëtarët e grupit hetimor të sigurojnë në gjykatë, provën kryesore të procesit hetimor. Në hetimet paraprake, deklarimet e tyre lidhen dhe me shumë prova të tjera që janë gjetur në vendet ku janë bërë ekzekutimet. Por për të mos i dhënë ansjë mundësi të penduarve për ndryshimin e dëshmisë, prokurorët në bazë të nenit 316, pika B, të Kodit të Procedurës Penale, i janë drejtuar gjykatës, ku kanë kërkuar sigurimin e dy provave kryesore.
Pikërisht në këtë nen thuhet se: “Gjatë hetimeve paraprake, prokurori mund të kërkojë nga gjykata që të procedohet me sigurimin e provës në rastin kur në marrjen e dëshmisë, ka arsye të bazuara për të menduar se personi mund të jetë objekt dhune, kanosje ose premtimi për t’i dhënë para ose përfitime të tjera me qëllim që të mos bëjë dëshmi ose të bëjë dëshmi të gënjeshtërt”. Pikërisht kjo dispozitë përmbush dhe situatën në të cilën ndodhen dy të penduarit e drejtësisë, dhe nisur nga kjo është kërkuar sigurimi i dëshmisë së tyre në gjykatë.
Rrëfimi i krimeve
Gjokona dhe Sinanaj kanë pranuar të tregojnë gjithçka që dinë lidhur me veprimtarinë e grupit kriminal dhe vrasjet e kryera. I pari që ka folur për llogari të prokurorisë ka qënë shtetasi Ndriçim Gjokona, i cili nga frika e ekzekutimit prej Julian Sinanaj, pasi nuk i ishte bindur për të qënë bashkëpuntor në vrasjen e bosit të gazit Piro Bare, ka vendosur të tregojë gjithçka në polici, lidhur me planin e kurdisur.
Gjokona është marrë në mbrojtje nga autoritet e rendit. Katër ditë pas kësaj dëshmie, është kapur në afërsi të gjykatës së Tiranës, vrasësi me pagesë i grupit Julian Sinanaj, i cili ska pranuar të flasë, por kur ka bërë ballafaqimin me Gjokonës, ka treguar edhe ai të gjithë planet e vrasjeve dhe krimet e kryera për llogari të kushërinjve Genis dhe Andon Mëhillaj.
Të arrestuar
Julian Sinanaj
Ndriçim Gjokona
Marjon Mitro
Ilir Karçini
Në kërkim
Andon Mëhillaj
Genis Mëhillaj
Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)