Blinken në Itali, diskutime mbi terrorizmin dhe mungesat ushqimoore

Blinken në Itali, diskutime mbi terrorizmin dhe mungesat ushqimoore

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës në Itali

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti të dielën në Romë për takime me homologun Italian, Luigi Di Maio. Të dy ata zhvilluan një drekë pune në Vilën Taverna, e cila shërben si rezidenca e ambasadorit amerikan në Romë. Më pas shefi i diplomacisë amerikane ka një axhendë të ngjeshur me takime me përfaqësues të Agjencive të OKB-së për Sigurinë Ushqimore me seli në Romë. Zoti Blinken do të takohet me diplomatë amerikanë që shërbejnë në misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në Romë, në Vatikan dhe në agjencitë e OKB-së në Itali. Më pas, zoti Blinken zhvillon një vizitë në Vatikan. Sekretari i Shtetit do ta përmbyllë qëndrimin e tij në Itali me pjesëmarrjen në takimin e Grupit të 20-shes në Bari dhe Matera, ku do të diskutohen tema si pandemia dhe ngrohja globale.

Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Itali, pas qëndrimit në Gjermani dhe Francë ku diskutoi mbi sfidat e sigurisë globale dhe aleancat transatlantike në përgjigje të problemeve madhore të globit.

Udhëheqësit francezë e pritën me krahë të hapur Sekretarin e Shtetit Antony Blinken. Kryediplomati kaloi një pjesë të madhe të rinisë në Paris dhe e flet rrjedhshëm frëngjishten.

Ministri i Jashtëm Le Drian tha se të gjithë janë të kënaqur që “Amerika është kthyer”. Pavarësisht pritjeve festive në Paris dhe Berlin, zoti Blinken u përball me probleme serioze botërore, përfshirë një vlerësim të zbulimit amerikan që del me konkluzionin se qeveria afgane mund të bjerë brenda gjashtë muajsh pas largimit të forcave amerikane dhe të NATO-s më 11 shtator.

“Po shqyrtojmë me shumë kujdes situatën në terren në Afganistan. Gjithashtu po shqyrtojmë në brendësi nëse talibanët e kanë seriozisht kur flitet për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Do të vazhdojmë të jemi të angazhuar në diplomaci. Por veprimet për marrjen e drejtimit të vendit me forcë janë tërësisht në kundërshtim me gjetjen e një zgjidhjeje paqësore", tha kryediplomati Blinken.

Zoti Blinken u takua me Presidentin Emmanuel Macron para nisjes për në Romë të dielën. Ai dhe Ministri i Jashtëm italian Luigi di Maio do të bashkë-kryesojnë një takim të Koalicionit Global për të Mposhtur ISIS.

Ekspertët thonë se kërcënimi nga Shtetit Islamik në Afganistan dhe pjesë të Afrikës vazhdon të jetë i madh. Brian Katulis i Qendrës për Përparim Amerikan foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Kërcënimi është tjetërsuar dhe trasnferuar në vende të reja, si Afrika. Kjo do të jetë në krye të axhendës së bisedimeve. Qasja nuk është thjeshtë vetëm ushtarake, por çfarë mund të bëhet në një sërë sferash, përfshirë ndihmën për njerëzit që u zhvendosën nga konfliktet në Afrikë si dhe aspekti ideologjik i përpjekjeve për të mposhtur Shtetin Islamik.”

Departamenti i Shtetit thotë se Siria mbetet një shqetësim shumë i madh, me dhjetëra mijëra gra dhe fëmijë në kampe humanitare, gjë që përbën kërcënim të mundshëm sigurie, pasi ISIS-i përpiqet për të shfrytëzuar kampet për të rekrutuar gjeneratën e ardhshme të luftëtarëve.

Të hënën dhe të martën, zotin Blinken e pret Ati i Shenjtë në Vatikan. Më pas ai do të vizitojë Barin dhe Materën për një takim të ministrave të jashtëm të G-20./Voa

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme