Disa persona të shpallur në kërkim kanë hapur zjarr ndaj policisë italiane gjatë një ndërhyrjeje në një banesë në San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias. Gjatë ngjarjes, një i ri shqiptar është qëlluar me armë zjarri dhe ka humbur jetën, ndërsa një person është arrestuar dhe të tjerë dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ndodhi të premten pasdite, kur efektivët e policisë shkuan në një banesë pranë lumit Adige për të arrestuar disa persona të kërkuar.

Sipas raportimeve të mediave italiane, në momentin kur policët u përballën me të dyshuarit, këta të fundit hapën zjarr dhe u përpoqën të largoheshin. Gjatë të shtënave, i riu shqiptar u plagos rëndë dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, nuk arriti të mbijetonte.

Një person tjetër u arrestua, ndërsa policia vijon kërkimet për personat e tjerë që mund të jenë larguar. Në zonë janë angazhuar forca të shumta policore dhe një helikopter për kontrollin e territorit.

Deri më tani nuk ëstë bërë publik identiteti i viktimës, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes.