Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha dy zyrtarëve të lartë izraelitë se numri i viktimave civile në Gazë është “në mënyrë të papranueshme i lartë”.
Ushtria izraelite kreu disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit, duke përfshirë një në një kamp refugjatësh.
Në përgjigje, Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, i cili kontrollon Gazën - tha se është tërhequr nga negociatat për armëpushim.

Blinken priti të hënën në Uashington dy zyrtarë izraelitë me ndikim - ministrin e Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi - “për të shprehur shqetësimin tonë serioz në lidhje me viktimat e fundit civile në Gazë”, tha zëdhënësi i tij, Matthew Miller.
“Numri i viktimave civile mbetet në mënyrë të papranueshme i lartë. Ne vazhdojmë të shohim shumë civilë të vrarë në këtë konflikt”, u tha Miller gazetarëve.
Të shtunën, sulmet izraelite vranë më shumë se 90 njerëz në kampin Al-Mavasi në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë.
Lufta shpërtheu pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila vazhdon ende.
Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz u vranë prej se nisi lufta.
Bisedimet e zyrtarëve izraelitë me Blinkenin u përqëndruan edhe tek armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ndihma humanitare në Gazë dhe planet e pasluftës, tha Miller.
Vizita e tyre u realizua disa ditë përpara se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan, më 24 korrik.REL
Xh.K/Shqiptarja.comKomente

