I ftuar në studion e Report Tv, deputeti socialist, Alket Hyseni u shpreh se ndryshimi i rregullores së Kuvendit është një element i nevojshëm. Sipas tij, Prokuroria nuk mund t'i dërgojë Kuvendit një fletë të bardhë për të kërkuar arrestimin e një deputeti.
"Ndryshimi i rregullores së Kuvendit është i nevojshëm. Deputetët mund të propozonin mendimet e tyre. Kërkesa e organit të akuzës drejtuar Kuvendit s'mund të jetë fletë e bardhë", u shpreh Hyseni duke theksuar se prokuroria duhet të ketë prova për arrestimin e ligjvënësve.
Më 30 mars të vitit të kaluar, PS dhe LSI kanë miratuar ndryshimet në Kodin e Procedurës Penal dhe ligji është votuar me 88 vota, nga 84 të nevojshme.
Mbi bazën e dy neneve të ndryshuara në Kod, 288 dhe 289, PS ka iniciuar edhe ndryshimet aktuale në Rregulloren e Kuvendit. Në pikën 2 të nenit 288 të Kodit thuhet se "kërkesa e prokurorit drejtuar Kuvendit për të marrë autorizimin për arrestim, duhet të shoqëruar me relacion të arsyetur dhe me prova kundër ligjvënësit".
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com