Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i është drejtuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) me një kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani, për shkelje të rënda procedurale në trajtimin e një çështjeje penale ndaj një personi akuzuar për veprën “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
Sipas dokumentacionit të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë, vendimi penal është shpallur më 14 dhjetor 2022, ndërsa vendimi i arsyetuar dhe dosja përkatëse janë depozituar në sekretarinë gjyqësore vetëm më 7 mars 2024, pra me një vonesë prej 14 muajsh e 24 ditësh, në kundërshtim flagrant me afatet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.
Ministri Lamallari vlerëson se kjo vonesë e pajustifikuar ka prodhuar pasoja konkrete juridike, pasi vendimi ka marrë formë të prerë më 20 maj 2024, duke i hequr të pandehurit mundësinë për të përfituar nga amnistia e parashikuar në ligjin nr. 33/2024.
Në kërkesën drejtuar ILD-së argumentohet se veprimet e gjyqtares bien ndesh me parashikimet e Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, të cilat detyrojnë gjyqtarët të shpallin dhe arsyetojnë vendimet gjyqësore brenda afateve ligjore, pa përjashtime dhe pa vonesa të pajustifikuara.
“Në zbatim të neneve 71/2 të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, nenit 6, pika 10 e ligjit 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, dhe nenit 119/2 të ligjit Nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkohet fillimi i hetimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Eglantina Mikani”, thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga Lamallari.
Ky është rasti i dytë që nga marrja e detyrës në të cilin Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i drejtohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për hetim disiplinor ndaj një gjyqtari për shkeljet procedurale që cenojnë të drejtat e qytetarëve dhe besimin e publikut te drejtësia. Kujtojmë që në muajin dhjetor ministri Lamallari kërkoi nga ILD hetim disiplinor për gjyqtarin e Lezhës, Ilir Përdeda, i cili gjithashtu për një vit nuk e zbardhi vendimin e dhënë prej tij.
Ministria e Drejtësisë po ndjek me vëmendje edhe raste të tjera në gjyqësor dhe do t’i adresojë menjëherë në institucionet përkatëse, duke konsideruar se respektimi i afateve procedurale dhe standardeve ligjore është thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe për garantimin e drejtësisë së barabartë për çdo qytetar.
Komente









