Ka vijuar edhe sot debati mbi bllokimin e biznesit të deputetit të ‘Rithemelimit’, Agron Shehaj, të cilin ai e konsideron si sulm politik ndërkohë që qeveria thotë se është në një ndërtim pa leje. Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në Elbasan me fermerët, e ka quajtur “një ballist foltoreje” Shehajn, ndërsa tha se policia ka shkuar në biznesin e tij, pasi ky i fundit është në një ndërtim pa leje.

“Në vazhdën e operacionit për të bllokuar dhe konfiskuar metrat katrorë të ndërtuara pa leje nga ata në thonjëza oligarkët që na i faturojnë ne por në fakt janë këta, ka bllokuar godinën për të cilën pronarja thoshte e kam hotel, dhe brenda na gjendet një biznes të një deputeti, një ballist foltoreje, në një ndërtim pa leje. Dakord ka hyrë atje, këta se kanë problem të shkelin ligje, sidomos me ndërtime kanë një raport patologjik se i duan pa leje, po si del në parlament dhe kap foltoren dhe fillon ‘policia, Rama, duan të më mbyllin gojën’. Po si t’i mbyllim gojën? Bën dhe viktimën e fjalës së lirë. Dhe pavarësisht nga fakti që ne po japim një goditje përfundimtare, çojnë në Gjykatën kushtetuese ankesë. Po ç’punë ka një parti të ankohet që shteti kap disa biznesmenë në shkelje të ligjit? Shumë e thjeshtë sepse janë bashkë”, tha Rama.

Ndërkohë që i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Shehaj.  Ai shkruan se është faji i tij që godina është pa leje, por e shtetit. Ai thotë se Rama po hakmarret ndaj tij.

“Edi Rama pranoi dje se shteti i tij policor ka bllokuar në mënyrë të paligjshme një biznes ku janë të punësuar 200 ekspertë IT-je, të cilët prej tri javësh mbahen forcërisht jashtë zyrave. Por paligjshmëria dëshmohet edhe më e qartë në pretekstet qesharake me të cilat justifikohet kryeministri. Ajo se ndërtesa është pa leje. Rama gënjen. E vërteta është se kompania ime ka bërë një kontratë qiraje para noterit në përputhje të plotë me ligjin për një objekt me leje. Por nëse ndërtesa ka shkelur lejen, e kujt është përgjegjësia? Është qeveria dhe agjencitë nën varësinë e Edi Ramës ato të cilat kanë detyrimin ligjor për të mos lejuar ndërtimet pa leje dhe jo bizneset private, të cilat bëjnë kontrata të rregullta qeraje. Ky është një pretekst banal. Arsyeja e vërtetë e bllokimit është hakmarrja e verbër politike e Edi Ramës ndaj denoncimeve të mia për aferat e tij të rënda, që nga firma që bëri Xhaçkën investitore strategjike, resortet e kushërinjve të Gjiknurit në Butrint. Dil dhe shpjegohu shqiptarëve, kur bëre ministren investitore dhe i dhe plazhin në Dhërmi, ishe apo jo në dijeni për kunatën e ministres Xhaçka të maskuar si investitore amerikane?", shkruan Shehaj, i cili ka publikuar edhe lejen e ndërtimit. 

Foto e publikuar nga Shehaj, leje e ndërtimit e firmosur nga Veliaj

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:26
Rama i përgjigjet sërish Shehajt: Ballisti i foltores paska kontratë qiraje, nuk bëhet biznes në një pallat pa leje

Kryeministri Edi Rama i ka kthyer sërish përgjigje deputetit demokrat Agron Shehaj për reagimin e tij se ka kontratë qiraje për biznesin që i është mbyllur për shkak se pallati nuk ka leje ndërtimi. Rama shkruan se deputeti ka hapur biznesin në një ndërtesë pa leje, ndërsa i ka kthyer përgjigje edhe për lejen e ndërtimit që ka publikuar Shehaj. Rama thotë se ndërtuesi ka shkelur lejen e ndërtimit.

“Ballisti i foltores paska nxjerrë një kontratë qiraje duke treguar një leje ndërtimi, po nuk e njeh ligjin sepse në parlament flet për biznesin e tij, që nuk duhet ta fuste në një ndërtim të paligjshëm dhe duhet ta dinte që nuk bëhet biznes në një pallat që s’ka leje shfrytëzimi! Sa për lejen e ndërtimit ajo është shkelur, pra është bërë nul nga vetë ndërtuesi, që duke tejkaluar edhe 10%-shin e tolerancës ligjore e ka bërë ndërtimin objekt të sekuestrimit sipas ligjit! Po s’ke ç’i bën, nga fshehjet në kotece tek futjet në pallate pa leje, zakon ballistash”, shkruan Rama.