Fakulteti i Drejtësisë do të nisë mësimin ditën e sotme në ambientet e gjimnazit "Petro Nini Luarasi". Ky vendim vjen pas kërkesës që studentët i kanë bërë ditën e hënë dekanit të fakultetit Artan Hoxha.

Sipas tij, mësimi do të fillojë normalisht dhe orët e humbura do të duhet që të zëvëndësohen të shtunën e të dielën me orë të zgjatura. Mësimi do të zhvillohen gjatë pasdites prej orës 14:00.

 

Sipas studentëve, procesi mësimor ishte bllokuar nga një grup i vogël studentësh të ngujuar brenda në Fakultetin e Drejtësisë. Edhe ditën e sotme ata tentuan që të pengonin nisjen e mësimit, duke mbyllur me zixhirë derën kryesore të gjimnazit. 

Pas kërkesës së tyre për të vijuar mësimin në mënyrë që të mos humbasin vitin e ri shkollor, dekani Hoxha i çoi një kërkesë ministrisë së Arsimit për t’i mundësuar ambiente për të zhvilluar mësimin. Disa ditë më parë studentët e Juridikut kishin vendosur me votë unanime që t'i riktheheshin procesit mësimor.