Dorina Hoxha thotë se do të kundërshtojë në rrugë institucionale dhe gjyqësore vendimin e Rektorit Artan Hoxha për pezullimin e saj nga detyra si Dekane e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.
Në një reagim ekskluziv për Shqiptarja.com, profesoreshë Hoxha thekson se përgjigjia e saj ndaj vendimit të kundërligjshëm të Rektorit, do jetë tërësisht në rrugë institucionale dhe në mënyrë shteruese.
“Do ta kundërshtoj aktin e pezullimit në rrugë institucionale dhe gjyqësore, pasi vlerësoj se ai është marrë në kundërshtim me ligjin dhe me parimet e autonomisë universitare. Përgjigjia ime do të jetë tërësisht institucionale dhe në përputhje me mekanizmat që parashikon shteti i së drejtës, sepse besoj se respektimi i ligjit dhe i procedurave të rregullta administrative duhet të jetë detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik’, thotë Hoxha për Shqiptarja.com.
Rektori e arsyeton vendimmarrjen sipas tij, me faktin se dekanja Hoxha ka shprehur interesin për të kandiduar si anëtare Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e pedagogëve. Rektori thotë se duke qenë se Fakulteti i Drejtësisë ka kompetenca në përzgjedhjen e kandidaturave ajo ndodhet në konflikt interesi.
Por në fakt ligjet dhe rregulloret e zgjidhin ndryshe këtë moment, dhe në asnjë rast nuk parashikojnë pezullim të dekanit nga të gjitha kompetencat e tij, në një kohë kur është zgjedhur aty nga stafi pedagogjik i fakultetit dhe studentët me votë.
Neni 40 pika 5 e ligjit “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, e shpreh qartë se gjatë kohës së procedurës në dekanat për verifikimin dhe zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të KLGJ “anëtarët e dekanatit, të cilët kandidojnë, nuk marrin pjesë në mbledhje dhe nuk votojnë. Në rastin e kandidimit të dekanit, detyrat e tij kryhen prej një nga zëvëndesdekanët”.
Pra nga një prej zëvendësve kryhen detyrat që ka dekani në këtë proces, dhe jo të gjitha detyrat si drejtues fakulteti. Këtë parim e ka edhe më të qartë edhe ky udhëzim "Mbi rregullat e detyrueshme për zbatim, gjatë procedurës së zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë kohë të plotë i nga personeli akademik me Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës".
Dokumenti, edhe ky i firmosur nga vetë Rektori Artan Hoxha e thotë qartë në pikën 10 të tij, paragrafi i dytë, se “Në rastin e kandidimit të dekanit, rektori cakton që detyrat e dekanit në këtë procedurë, të kryhen nga një prej personave të parashikuar në nenin 40 të ligjit 115/2016 i ndryshuar”. Pra një prej zëvendësdekanëve e zëvendëson dekanin vetëm në këtë procedurë.
Rektori Hoxha nuk e njeh mirë ligjin dhe udhëzimin që vetë ka firmosur, ndërkohë që është vetë jurist, dhe madje edhe ish dekan i Fakultetit të Drejtësisë?!
Ky vendim mund të cilësohet zhvillim shqetësues për autonominë universitare dhe funksionimin normal të institucioneve të Arsimit të Lartë, edhe për shkak se dyshohet se ka ardhur si pasojë e konflikteve personale që rektori ka pasur me dekanin.
Komente










